Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se ata shpresojnë se ekspertët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) do të vijnë së shpejti në centralin bërthamor të Kurskut, transmeton Anadolu.
Putin zhvilloi një takim me zyrtarë në lidhje me sulmin e ushtrisë ukrainase në rajonet Kursk, Belgorod dhe Bryansk.
“IAEA premtoi se së shpejti do të dërgojë ekspertë në centralin bërthamor të Kurskut. Shpresoj se ata do ta bëjnë këtë përfundimisht. Armiku mbrëmë u përpoq të sulmojë centralin bërthamor të Kurskut”, tha Putin.
Ndërsa zëvendës guvernatori i rajonit të Kurskut, Aleksei Smirnov e informoi Putinin për situatën në central. Ai theksoi se për këtë çështje kanë pasur takim me zyrtarë të Korporatës Shtetërore të Energjisë Bërthamore të Rusisë “Rosatom” dhe se termocentrali po funksionon normalisht.
Në deklaratën më 17 gusht, “Rosatom” njoftoi se situata përreth centralit bërthamor të Kurskut ishte përkeqësuar për shkak të sulmeve të Ukrainës.
Në rajonin rus të Kurskut filluan luftime të ashpra pas sulmeve të nisura nga ushtria ukrainase më 6 gusht.