Putin telefon Aliyevin për rrëzimin e aeroplanit azerbajxhanas në Kazakistan, kërkon falje për incidentin

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka zhvilluar një telefonatë me presidentin azerbajxhanas, Ilham Aliyev, për rrëzimin e aeroplanit të Azerbajxhanit këtë javë në Kazakistan, ku kërkoi falje dhe i shprehu ngushëllime, transmeton Anadolu.

“Putin kërkoi falje për incidentin tragjik që ndodhi në hapësirën ajrore ruse dhe shprehu edhe një herë ngushëllimet e tij të thella dhe të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve”, tha Kremlini.

Putin theksoi se avioni i pasagjerëve i Azerbajxhanit ka bërë përpjekje të shumta për t’u ulur në qytetin Grozny të Republikës Çeçene të Rusisë, në një kohë kur sistemet ruse të mbrojtjes ajrore po i përgjigjeshin në mënyrë aktive një sulmi ukrainas me dron.

Presidenti rus i tha presidentit azerbajxhanas se Komiteti Hetimor Rus ka iniciuar një rast sipas nenit 263 të Kodit Penal, i cili mbulon shkeljet e sigurisë së trafikut ajror dhe rregullave të funksionimit.

“Veprimet paraprake hetimore janë duke u zhvilluar, ku po konsultohen specialistë civil dhe ushtarak”, njoftoi Kremlini.

Të mërkurën, aeroplani i pasagjerëve i ‘Azerbaijan Airlines’ në linjën Baku-Grozny u rrëzua pranë qytetit kazak Aktau, si pasojë humbën jetën 39 persona dhe 29 mbijetuan, nga gjithsej 67 njerëz në bord.

Dy përfaqësues nga Prokuroria e Përgjithshme e Azerbajxhanit janë aktualisht në Grozny duke bashkëpunuar me zyrtarë rusë nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Komiteti Hetues.

Shërbime të ndryshme nga Rusia, Azerbajxhani dhe Kazakistani po koordinojnë ngushtë në vendin e rrëzimit pranë qytetit Aktau në Kazakistan për të menaxhuar pasojat e katastrofës.