Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Putin takon për herë të parë homologun iranian

Putin takon për herë të parë homologun iranian

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian u takuan për herë të parë në Ashgabat, kryeqytetin e Turkmenistanit, dhe diskutuan çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Sipas deklaratës së bërë nga Kremlini, takimi mes Putinit dhe Pezeshkianit që nisi me pjesëmarrjen e delegacioneve, ka vazhduar ballë për ballë.

Duke folur në pjesën e hapur për shtyp të takimit, Putin deklaroi se marrëdhëniet midis Rusisë dhe Iranit janë përmirësuar dhe vëllimi i tregtisë dypalëshe është rritur këtë vit.

Putin vuri në dukje se kanë zhvilluar punime në fushën ndërkombëtare me Iranin dhe shtoi: “Vlerësimet tona për ngjarjet botërore janë shpesh shumë afër njëra-tjetrës, madje përputhen. Sot ne do të diskutojmë këtë”.

Duke theksuar se Irani është anëtar i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) dhe BRICS-it, Putin deklaroi se planifikon të ketë një takim të veçantë me Pezeshkianin në kuadër të Samitit të BRICS-it që do të mbahet më 22-24 tetor në Kazan, kryeqytetin e Republikës Ruse të Tatarstanit.

Në anën tjetër, bëhet e ditur se Putin ka zhvilluar një bisedë në këmbë me presidentin pakistanez Asif Ali Zardari dhe ka diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe.

– Pezeshkian: “Pozicionet tona në botë janë shumë më afër njëri-tjetrit se të tjerët”

Sipas deklaratës me shkrim nga presidenca iraniane lidhur me takimin, thuhet se Pezeshkian ka shprehur kënaqësinë për mundësinë e takimit me homologun rus dhe i ka cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si “të sinqerta dhe strategjike”.

Pezeshkian ka kërkuar përshpejtimin e procesit të bashkëpunimit të zhvilluar mes Iranit dhe Rusisë, duke theksuar se dy vendet kanë kapacitetet “reciproke dhe plotësuese” dhe se mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në këtë çështje. “Pozicionet tona në botë janë shumë më afër njëri-tjetrit se të tjerët”, ka shtuar ai.

Presidenti iranian Pezeshkian ka thënë se shpresojnë që në Samitin e BRICS-it të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik afatgjatë mes dy vendeve.

Duke iu referuar agresionit të Izraelit në rajon, presidenti iranian ka thënë se agresioni i Izraelit i cili vazhdon pa respektuar asnjë rregull të së drejtës ndërkombëtare, shkakton kriza në rajon.

Exit mobile version