Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka propozuar emërimin e një administrate të përkohshme në Ukrainë për mundësimin e zgjedhjeve demokratike dhe zhvillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës, transmeton Anadolu.
Putin foli gjatë një aktiviteti të mbajtur në portin në qytetin rus Murmansk, ku ai mbrojti idenë se nuk e filluan ata luftën në Ukrainë.
“Konfliktet nisën me grushtin e shtetit të vitit 2014 në Ukrainë, i cili u mbështet nga vendet perëndimore”, theksoi presidenti Putin.
Duhet të ketë një administratë legjitime në mënyrë që me Ukrainën të zhvillohen negociata. “Si parim, në Ukrainë mund të krijohet një administratë e përkohshme nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara (OKB), SHBA-së, vendeve evropiane dhe partnerëve tanë”, tha Putin.
Ai shpjegoi se në këtë mënyrë, një qeveri e mbështetur nga populli mund të vijë në pushtet në Ukrainë. “Kështu, duke mbajtur zgjedhje demokratike, mund të sillet në pushtet një qeveri kompetente dhe e besueshme që ka besimin e popullit dhe më pas mund të fillojnë negociatat për marrëveshjen e paqes me ta”, deklaroi presidenti rus.
Pasi vuri në dukje se OKB-ja ka kryer më parë punime të ngjashme në Jugosllavi dhe Papua Guinenë e Re, Putin tha se “Kjo mund të jetë gjithashtu një nga opsionet në Ukrainë. Në këtë mënyrë, do të jetë e mundur të nënshkruhen dokumente legjitime që do të njiheshin dhe do të besoheshin në mbarë botën”.
Putin shtoi se presidenti amerikan Donald Trump dëshiron “sinqerisht” t’i japë fund konflikteve.