Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi se politika e disa vendeve perëndimore për të vazhduar konfliktet dhe për të rritur tensionin në Ukrainë është e gabuar, transmeton Anadolu.
Sipas deklaratës së bërë nga Kremlini, Putin priti në Pallatin e Kremlinit për të marrë letrat kredenciale ambasadorët e 28 vendeve, përfshirë Izraelin, Azerbajxhanin, Armeninë dhe disa shtete evropiane, të cilët filluan detyrën në Rusi.
Duke i uruar diplomatët me rastin e marrjes së detyrës, Putin u shpreh në fjalën e tij se ata adoptojnë një bashkëpunim reciprokisht të dobishëm me vendet.
Duke deklaruar se ata janë në favor të krijimit të një sistemi të drejtë të marrëdhënieve ekonomike globale në botë dhe se kundërshtojnë konkurrencën dhe sanksionet e pandershme, Putin vuri në dukje rëndësinë e vendosjes së një rendi botëror shumëpolar.
– “Jemi të hapur për negociata me Ukrainën”
Duke folur për situatën në Ukrainë, Putin tha se Rusia ka qenë e hapur për negociata me Ukrainën që nga fillimi i luftës, por sipas tij Ukraina ka hequr dorë nga negociatat çdo herë.
Në lidhje me qasjen e Perëndimit ndaj Ukrainës, Putin tha: “Politika e disa shteteve perëndimore për të vazhduar konfliktet në Ukrainë, për të rritur tensionet dhe për t’i shkaktuar një disfatë strategjike vendit tonë është e gabuar. Llogaritje të tilla shtrembëruese mund të bëhen vetëm nga ata që nuk e dinë dhe nuk duan të dinë historinë e Rusisë dhe nuk marrin parasysh unitetin e popullit rus”.
– “Ne po përpiqemi të parandalojmë një luftë të madhe në Lindjen e Mesme”
Pasi iu referua situatës në Lindjen e Mesme, Putin tha se Rusia po merr iniciativa për të parandaluar që problemi mes Palestinës dhe Izraelit të kthehet në një luftë të madhe në Lindjen e Mesme.
“Ne jemi të sigurt se sjellja e palëve përkatëse në rrugën e kompromisit dhe arritja e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë të çështjes është e mundur në bazë të ligjit ndërkombëtar. Për rivendosjen e paqes në rajon, është e nevojshme të zbatohet formula me dy shtete në përputhje me vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, është shprehur Putin.
Putin foli edhe për marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe tha se ata po bëjnë çmos për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve dhe për sigurimin e një paqeje solide në Kaukazin e Jugut.
Më tej presidenti Putin vuri në dukje se ata do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje në arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis dy vendeve, përcaktimin e kufijve dhe heqjen e pengesave mbi ekonominë dhe lidhjet e transportit.