Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se Perëndimi nuk do të jetë në gjendje të pavarësohet nga nafta dhe gazi rus për vite të tëra.
Deklarata e tij vjen pasi një zyrtar amerikan pranoi se fitimet ruse nga energjia mund të jenë më të larta tani sesa ishin para luftës në Ukrainë.
Bashkimi Evropian aktualisht importon rreth 40% të gazit të saj nga Rusia, raportoi BBC-ja të enjten.
Blloku është zotuar ta zvogëlojë varësinë nga nafta ruse me 90% deri në fund të vitit 2022, por deri më tani nuk ka marrë asnjë angazhim për gazin.
SHBA-ja ka vendosur po ashtu një embargo për të gjitha produktet ruse të energjisë.
Kufizimet në energjinë ruse janë krijuar për ta ndëshkuar Moskën për agresionin ndaj Ukrainës.
Por rritja e çmimeve globale të naftës dhe gazit do të thotë se fitimet ruse mund të jenë rritur muajt e fundit, pavarësisht një reduktimi në furnizimin e përgjithshëm.
“Vëllimi i naftës po zvogëlohet në tregun botëror, çmimet po rriten. Fitimet e kompanisë po rriten”, i tha presidenti Putin një grupi sipërmarrësish të rinj pasi vizitoi një ekspozitë në Moskë, kushtuar 350-vjetorit të lindjes së monarkut rus, Pjetri i Madh.
Sundimtari i shekullit XVIII zhvilloi një luftë të gjatë territoriale kundër Suedisë, të cilën Putin e krahasoi me pushtimin e tij në Ukrainë. /koha