Putin: Kemi planifikuar “plane të mëdha ekonomike” afatgjata me Kinën

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin deklaroi se po zhvillojnë me shpejtësi marrëdhëniet tregtare me Kinën, transmeton Anadolu.

Putin u takua me kryeministrin kinez Li Qiang në Pallatin e Kremlinit në kryeqytetin Moskë. Ai shpjegoi se është siguruar përparim në marrëveshjet që arritën me presidentin kinez Xi Jinping pas takimit të tij në Pekin dhe pret që Xi të marrë pjesë në samitin e BRICS që do të mbahet në Kazan këtë vit.

Ai tha se shumë marrëveshje u nënshkruan gjatë vizitës së kryeministrit kinez në Moskë. “Marrëdhëniet tona tregtare zhvillohen dhe përparojnë në mënyrë të suksesshme edhe me kontributet e kolegëve tanë kinezë. Mes vendeve tona ka plane të përbashkëta në shkallë të gjerë si dhe projekte ekonomike dhe humanitare që do të zgjasin për shumë vite”, theksoi Putin.

Në fjalën e tij në takim, Li vuri në dukje se Rusia nën udhëheqjen e Putinit ka treguar rritje të qëndrueshme ekonomike në 12 vite dhe tha se ekonomia ruse u rrit me 4.7 për qind në gjysmën e parë të këtij viti.

Duke theksuar se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës kanë arritur në një nivel “të paprecedentë”, Li tha: “Ne jemi të gatshëm të zbatojmë marrëveshjet që kemi arritur me ju në nivelin më të lartë dhe të zgjerojmë vazhdimisht këtë bashkëpunim”.

Në kuadër të vizitës së tij në Moskë, Li u takua sot edhe me kryeministrin rus Mikhail Mishustin dhe mori pjesë në takimin e 29-të të krerëve të qeverive Rusi-Kinë. Pas takimit mes dy vendeve u nënshkruan disa marrëveshje në fushat si energjia, logjistika, doganat, arsimi dhe kimia.

Marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike mes Rusisë dhe Kinës dolën në pah veçanërisht pas luftës në Ukrainë. Vëllimi tregtar mes dy vendeve u rrit me 26.3 për qind vitin e kaluar krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 240.1 miliardë dollarë.