Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është takuar me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev, gatë vizitës së tij zyrtare në Azerbajxhan, raporton Anadolu.
Aliyev e priti Putinin me një ceremoni zyrtare në kryeqytetin Baku. Në ceremoni u intonuan himnet kombëtare të të dyjave vendeve, ndërsa pas ceremonisë Putin dhe Aliyev kaluan në takim dypalësh.
Duke folur në takim, Aliyev shprehu kënaqësinë nga niveli i ndërveprimit midis Azerbajxhanit dhe Rusisë.
Duke theksuar se deklarata e aleancës që ata e kanë nënshkruar në vitin 2022 është zbatuar me sukses, Aliyev tha se kanë arritur rezultate shumë pozitive si në fushën politike ashtu edhe në atë ekonomike.
Duke thënë se bashkëpunojnë me Rusinë si në fushën e energjisë ashtu edhe në atë të transportit, Aliyev theksoi se i kushtojnë rëndësi të veçantë edhe marrëdhënieve njerëzore.
Aliyev tha se vizita e Putinit do të jetë e dobishme për marrëdhëniet midis Azerbajxhanit dhe Rusisë.
Putin tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë zhvilluar me sukses në bazë të deklaratës së aleancës të nënshkruar në vitin 2022.
Sipas tij, vizita e Aliyevit në Moskë në prill përshpejtoi zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare janë zhvilluar me sukses.
Duke rikujtuar se vendi i tij është duke u përballur me disa kriza përfshirë atë me Ukrainën, Putin tha: “Megjithatë, prania historike e Rusisë në Kaukazin e Jugut na detyron të marrim pjesë në atë që ka ndodhur këtu në vitet e fundit. Sigurisht, ne e bëjmë këtë në masën e dëshiruar nga palët”.
Putin u ndal edhe në procesin e paqes midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.
“Do të jemi shumë të lumtur nëse mund të bëjmë diçka për nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje midis Azerbajxhanit dhe Armenisë dhe ta çojmë procesin në përcaktimin e kufijve dhe hapjen e linjave logjistike midis dy vendeve. Pas vizitës sime në Azerbajxhan, do të kontaktoj kryeministrin armen Nikol Pashinyan dhe do ta informoj për rezultatet e vizitës sime. E di shumë mirë që Azerbajxhani është i fokusuar në përfundimin e këtij procesi dhe gjetjen e një zgjidhjeje”, u shpreh Putin.
Putin tha se vëllimi vjetor i tregtisë midis Rusisë dhe Azerbajxhanit është më shumë se 4 miliardë dollarë dhe se kjo shifër është e mirë, por se mundësitë e të dy vendeve nuk përmbushin potencialin e tyre.
Duke kujtuar se arsimi rus ofrohet në 300 shkolla në Azerbajxhan, Putin shtoi se janë të kënaqur me rëndësinë që i jepet gjuhës ruse në këtë vend.