Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka pretenduar se homologu i tij amerikan në largim, Joe Biden, në vitin 2021 ka propozuar shtyrjen e anëtarësimit të Ukrainës në NATO, transmeton Anadolu.
“Unë e di se presidenti aktual Biden foli për këtë, kjo nuk është sekret, në vitin 2021. Ai më propozoi pikërisht këtë, të shtyja pranimin e Ukrainës në NATO për 10-15 vjet, sepse ajo akoma nuk është gati”, u tha Putin gazetarëve në një konferencë për media në Shën Petersburg.
Putin theksoi se ai ishte dakord me vlerësimin e presidentit Biden për mosgatishmërinë e Ukrainës.
“Nga pikëpamja historike, është një moment. Për ne, çfarë ndryshimi bën ajo, sot, nesër apo pas 10 vjetësh”, shtoi ai.
Më tej, presidenti rus tha se në këtë drejtim ai nuk i njeh me deklaratat e ekipit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, duke vënë në dyshim se nuk ka dallim mes administratës së Bidenit dhe propozimeve të raportuara të ekipit të Trumpit.
“Nuke di se si do të zhvillohet më tej kjo situatë, cilat do të jenë udhëzimet nga presidenti i zgjedhur për kolegët e tij. Të shohim”, tha ai.
Sipas presidentit Putin, kryeministri sllovak, Robert Fico, shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të ofruar një platformë për negociatat midis Moskës dhe Kievit gjatë bisedimeve në Rusi të dielën vonë.
Rusia ka përmendur zgjerimin e NATO-s drejt kufijve të saj si një arsye kryesore për nisjen e “operacionit special ushtarak” në Ukrainë më 24 shkurt të vitit 2022.
Trump, i cili do të marrë detyrën muajin e ardhshëm, ka vënë në pikëpyetje ndihmën e SHBA-së për Ukrainën dhe është zotuar se do t’i japë fund konfliktit me shpejtësi.