Pushuesit britanikë i janë rikthyer Turqisë si një destinacion turistik, kanë treguar pakot e rezervuara për pushime në Turqi, të cilat aktualisht shënojnë një rritje prej 84 për qind krahasuar me vitin paraprak, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Rezervimet e pakove turistike për Turqi aktualisht kanë një rritje prej 84 për qind nga viti paraprak, ndërkohë që rezervimet për Egjipt, shënojnë rritje prej 89 për qind”, thuhet ne raportin e pushimeve për vitin 2018 të kompanisë globale turistike nga Britania, “Thomas Cook”.
Rritja e numrit të pushuesve britanikë në Turqi është kryesisht nga familjet të cilat përbëjnë 61 për qind të rezervimeve, ndërkohë që një statistikë e ngjajshme vlen edhe për Egjiptin, ku familjet përbëjnë 51 për qind të pushuesve.
“Deri më tani, Turqia këtë verë është një destinacion i shumëpreferuar për pushuesit britanikë, me çka dëshmojmë rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin e kaluar. Me vetëm një javë deri në fillimin zyrtar të sezonit turistik veror, Egjipti dhe Tunizia po kthehen në destinacione shumë të dashura”, deklaroi Chris Mottershead, drejtor menaxhues në Thomas Cook.
Bazuar në të dhënat e rezervimeve, Spanja për të dytin vit radhazi kryeson listën për nga numri më i madh i pushuesve britanikë në vitin 2018.
Pas saj radhiten Greqia, Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Karaibet.