- Kufijtë e 1913-tës u rezistuan dhjetëvjeçarëve derisa ndodhi një ndryshim i ri – krijimi i shtetit të Kosovës. Nuk duhet harruar se ky shtet u njoh ndërkombëtarisht me vullnetin e fuqive të mëdha të kësaj kohe. Edhe pse shpesh thuhet që shtetet veprojnë për interesat e tyre, duhet shtruar pyetja: “A ka shtet serioz që të veprojë kundër interesave të veta?”.
- Nuredin NAZARKO, Korçë
- Historia e njeriut është edhe histori e përpjekjeve për të ndërtuar formacione shtetërore me të gjithë elementët që i duhen shtetit. Në rrjedhën e kohës janë ndërtuar perandori që kanë nisur si fara e hedhur në tokë dhe janë zhvilluar e i kanë dhënë botës qytetërime të rëndësishme. Kufijtë politikë të perandorive, mbretërive, principatave e republikave janë ndërtuar, zhbërë e ribërë përmes luftërash të vazhdueshme, traktate paqesh pas luftërave, sepse nuk ka pasur e as nuk ka për të pasur shtet që të falë me dëshirë atë që i përket atij, për të mbërritur deri në ditët e sotme me kufij politikë të konfiguruar qartë dhe tepër të vështirë për t’u zhbërë në kushtet aktuale. Të ardhmen nuk e njohim dhe me këtë pamundësi nuk mund të themi se e ardhmja nuk sjell ndryshime kufijsh. Në këtë botë ndodhin të gjitha ngjarjet.
- Shqiptarët kanë historikun e tyre shtetformues, edhe pse shumë e kanë vënë në pikëpyetje nëse kemi patur apo jo aftësi të tilla. Përtej asaj çka jodashamirësit tanë mund të thonë e të shkruajnë, shqiptarët kanë qenë prezentë me kontributin e tyre shtetformues në hapësirën mesdhetare, e veçanërisht në tri perandori të mëdha, si Perandoria Romake e Perëndimit, Perandoria Romake e Lindjes (Bizanti), Perandoria Osmane. (Literaturë e rekomanduar, Muhaj, A. (2019), Nga Ballkani në Mesdhe: shqiptarët prej mesjetës në agimin e kohës së re, Tiranë: Akademia e Studimeve Albanalogjike). Duhet t’u kujtojmë të gjithë atyre që vendosin në dyshim aftësitë shtetformuese të shqiptarëve se nuk e kemi lënën vendin bosh në këtë lëmi. Ndoshta ky është dhe lëmi ku mund të spikatim më tepër përgjatë historisë.
- Fundi i shekullit XIX i gjen shqiptarët në përpjekje për të ndërtuar shtetin autonom në kuadër të Perandorisë Osmane, si një përpjekje serioze për t’i thyer planet shoviniste fqinje për copëtimin e tokave shqiptare. Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913) e konfiguroi Shqipërinë e sotme, si dëshmi e padrejtësisë së diplomacisë europiane të kohës kundrejt shqiptarëve. Nuk u arrit ajo që synohej nga rilindasit shqiptarë, por – për fat – mbeti në këmbë një shtet shqiptar, që edhe pse i rrethuar nga shtete që kanë bërë çmos që Shqipëria dhe shqiptarët të mos ngrenë krye, vazhdon të ketë jetë.
- Kufijtë e 1913-tës u rezistuan dhjetëvjeçarëve derisa ndodhi një ndryshim i ri – krijimi i shtetit të Kosovës. Nuk duhet harruar se ky shtet u njoh ndërkombëtarisht me vullnetin e fuqive të mëdha të kësaj kohe. Edhe pse shpesh thuhet që shtetet veprojnë për interesat e tyre, duhet shtruar pyetja: “A ka shtet serioz që të veprojë kundër interesave të veta?”.
- Mjeshtëria diplomatike e shteteve të vogla duhet të qëndrojë në gjetjen e njerëzve seriozë që përfaqësojnë politikën e jashtme dhe lobimin e vazhdueshëm për të fituar besimin e të mëdhenjve të kohës, por duke qenë seriozë dhe jo kllounë që argëtojnë oborrtarët e tyre. “Aleanca me të fuqishmin nuk është asnjëherë e sigurt.” thoshte dikur Seneka, por bota asnjëherë nuk ka qenë e sigurt dhe as ka për të qenë. Prandaj duhen njerëz seriozë dhe me virtyte në shërbim të shtetit.
- Rilindasit shqiptarë, që i dhanë frymë e formë shtetit shqiptar, edhe pse fuqitë e mëdha dhe aleancat ballkanike e krasitën paq më 1913-tën, ishin për njësim unitar të katër vilajeteve të kohës në një formacion të vetëm politik, pa dallime fetare e krahinore. Të rrethuar nga shtete që kishin hartuar platforma të posaçme copëtimi të tokave shqiptare bënë ç’ishte e mundur që shqiptarët të bënin kujdes nga përdorimi i besimeve fetare prej të tjerëve që të nxisnin grindje e përçarje mes tyre. Unitarizmi ishte tipar shques i frymës që ata përcollën. Edhe pjesa klerikale e kësaj kohe ka qenë në sinkron me këtë frymë. E në pastë pasur ndonjë që nuk shkonte kësaj vije, secili ka marrë nga historia atë që ka merituar.
- Tarikati bektashian në hapësirën shqiptare, si pjesë e pandarë e besimit islam, nuk ka shfaqur asnjëherë prirje që ta dëmtojnë unitarizmin e rilindasve shqiptarë. (Literaturë e rekomanduar, Elsie, R. (2019), Bektashinjtë shqiptarë: Historia dhe kultura e një rendi dervishësh në Ballkan, Prishtinë: Botime Artini) Madje, përfaqësues të shquar të këtij tarikati janë shembull frymëzimi të një atdhedashurie të zjarrtë. (Literaturë e rekomanduar, Clayer, N. (2012), Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, Tiranë:Botime Përpjekja). Në historinë e çdo feje ka pasur dhe do të ketë edhe njerëz të cilët nuk qëndrojnë dot në lartësinë që e kërkojnë parimet fetare. Ka pasur dhe do të ketë njerëz që qasjet e tyre materialiste ndaj jetës i realizojnë përmes besimeve fetare. Por, kjo nuk na jep të drejtë të kthehemi në gjykatës të qëllimeve të njerëzve. Nuk u jep të drejtë as atyre që u ka ngelur sahati tek viti i mbrapshtë 1967-të dhe vjellin vrer kundër feve dhe besimtarëve të tyre. Ata që i kanë kuptuar drejt parimet fetare nuk e kanë vënë kurrë në dyshim e as diskutim shërbimin ndaj kombit, ndaj vendit në të cilin kanë lerë e kanë jetuar. Me jetën dhe veprimtarinë e tyre, trashëgiminë e tyre atdhetare e kulturore, fetare e shpirtërore ata duhet të jenë shembujt të cilëve duhet t’u referohemi për të mos baltosur fetë ose besimtarët nisur nga qëndrime ose qasje individuale për problematika që e shqetësojnë shoqërinë shqiptare.
- Ideja e hedhur dhe e pranuar për formimin e shtetit bektashi shkon kundër trashëgimisë unitariste të tarikatit. Përtej ndryshimeve që ndodhin, dinamikës së zhvillimeve globale, nuk shkon që të bëhemi më katolikë se papa. Ideja e një shteti bektashi brenda shtetit shqiptar nuk ka asnjë lloj justifikimi. Ushtrimi i lirë i praktikave fetare është i njohur dhe garantuar nga kushtetuta e shtetit shqiptar dhe s’ka arsye që tarikati bektashi të ndihet i mënjanuar në këtë aspekt. Nëse është çështje kompensimi pronash, të gjitha qeveritë e shkuara dhe ajo aktuale do të duhej ta çonin pronën tek i zoti dhe jo vetëm në adresë të bashkësive fetare në vend dhe s’ka pse të formojnë shtet brenda shtetit me të tilla arsyetime.
- Nëse hiqet paralele me shtetin e Vatikanit, është sërish arsyetim i gabuar. Tjetër histori ka krijimi i shtetit të Vatikanit. Minimalisht nuk është krijuar me vendim qeverie. Po çdo të ndodhë me Shqipërinë nëse bashkësitë fetare, krahina të ndryshme të Shqipërisë, të ngrihen e të kërkojnë shtetet e tyre? A do t’i miratonte qeveria këto kërkesa? Ne nuk mund të parashikojmë se çdo të ndodhë me kufijtë e Ballkanit apo vetë Europës e botës në të ardhmen. Ajo që dimë dhe që është e faktuar është se për të formuar shtetet kombëtare janë bërë sakrifica, përfshi dhe Shqipërinë. Si mund t’i hyjmë një aventure të tillë dhe të lëmë shkas për kantonizim të Shqipërisë? Kujt do t’i shërbente një projekt i tillë? Në gjendje të mjegulluara, urtësia proverbiale popullore e ka thënë fjalën e vet – ujku mjegull do.
- Integrim në BE nuk do të thotë shkërmoqje e unitetit territorial dhe zhbërje e identitetit kulturor e fetar të vendit. Pse qenka pozitive kjo ide e hedhur në qarkullim si rrufe në qiell të pastër dhe e qarkulluar shpejt në shtyp dhe e pranuar si e mirëqënë? Nëse qeveria mendon seriozisht për këtë projekt, atëherë le të flasë populli me referendum, sepse qeveria nuk mund ta trajtojë popullin si pronë që mund ta shesë, blejë, jap me qera ose të bëjë trampa me të. Qeveria nuk mund të sillet si xhambaz, por duhet të veprojë në përputhje me interesat kombëtare dhe jo vetëm për të bërë sensacion me impakt global e aspak në dobi të çështjes kombëtare. /revistashenja