Punonjësja e Microsoft proteston publikisht për bashkëpunimin me ushtrinë izraelite

Një protestë e pazakontë tronditi evenimentin e 50-vjetorit të Microsoft, kur inxhinierja e softuerit Ibtihal Aboussad ndërpreu fjalimin e CEO-së së AI Mustafa Suleyman, duke akuzuar kompaninë për bashkëpunim me gjenocidin në Gaza.

Aboussad, e cila ka punuar për më shumë se tre vjet në sektorin e AI të Microsoft, dërgoi më pas një email të gjatë dhe të fuqishëm drejtuar qindra (ose mijëra) kolegëve, ku akuzon kompaninë për shitjen e teknologjisë së saj ushtrisë izraelite, që sipas saj përdoret për “përgjime dhe vrasje të civilëve palestinezë”.

“Nuk e dija që puna ime në skenaret e transkriptimit do të ndihmonte për të përgjuar telefonatat dhe për të shënjestruar palestinezët. Nuk kam nënshkruar për të shkruar kod që ndihmon në shkeljen e të drejtave të njeriut,” shkruan ajo në emailin e publikuar nga The Verge.

Sipas saj, kontratat e Microsoft me Ministrinë izraelite të Mbrojtjes kapin vlerën e 133 milionë dollarëve, ndërsa të dhënat e ruajtura në serverët Azure nga ushtria izraelite janë dyfishuar që nga marsi i kaluar. Ajo gjithashtu përmendi dokumente që lidhin Microsoft-in me projekte “të klasifikuara dhe vdekjeprurëse” në Gaza.

Aboussad bëri thirrje për veprim të brendshëm nga kolegët, për të kërkuar që Microsoft të ndalojë çdo bashkëpunim me forcat izraelite, duke paralajmëruar se “heshtja është bashkëfajësi”.

Microsoft ende nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi këtë incident. /mesazhi