Zyra e sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka njoftuar se nga korriku deri në shtator të këtij viti, ka pranuar 31 ankesa për abuzim dhe shfrytëzim seksual, të cilat dyshohet se janë bërë nga zyrtarë dhe të punësuar të organizatës anembanë botës, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga ky numër, 12 ankesa janë parashtruar kundër zyrtarëve të cilët kanë punuar në misionet paqeruajtëse, ndërsa 19 të tjera kundër zyrtarëve dhe të punësuarve në agjencitë të ndryshme, fonde dhe programe, përfshirë UNICEF dhe UNHCR. Siç thuhet në njoftim, incidentet kanë ndodhur në dy vitet e fundit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres, premtoi se do të ndalojë këto raste, pasi një hetim i kryer vitin e kaluar ka konstatuar se pjesëtarët e forcave paqeruajtëse kishin abuzuar në masë të madhe me persona të mitur në Republikën e Afrikës Qendrore.
Pas këtyre ankesave, OKB ka nisur një hetim për rastet rreth abuzimeve dhe shfrytëzim seksual.