Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Punëdhënësit dhe sindikatat gjermane kanë frikë nga largimi i sirianëve

Punëdhënësit dhe sindikatat gjermane kanë frikë nga largimi i sirianëve

Punëdhënësit dhe sindikatat gjermane paralajmërojnë dhe shprehin frikë nga thirrjet që sirianët të kthehen sa më shpejt në vendin e tyre pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit, duke pasur parasysh se rreth 80.000 shtetas sirianë punojnë në profesione ku mungojnë punëtorë të kualifikuar.

Në fakt, 60 për qind e refugjatëve sirianë kanë gjetur punë në Gjermani, një situatë e ngjashme me atë të kolegëve të tyre me shtetësi të dyfishtë. Njëri prej tyre është bërë i njohur për një fotografi me ish-kancelaren Angela Merkel.

Anas Modamani, sot gazetar dhe fotograf, në moshën 17-vjeçare ka udhëtuar në këmbë nga Greqia për në Gjermani dhe është fotografuar me kancelaren, foto e cila tani është përfshirë në biografinë e saj.

“Atmosfera në Gjermani kohët e fundit është përkeqësuar në mënyrë ekstreme.

Më pak se 24 orë pas rrëzimit të Asadit, u shpreh shumë urrejtje dhe thirrje për dëbime. Ne arritëm në një kulturë pranimi, por situata ka ndryshuar,” tha Modamani për RTV Slovenija.

Modamani, për herë të parë pas mbërritjes në Gjermani, do të udhëtojë pas dy muajsh te familja e tij në Siri, por dëshiron të jetojë në të dy vendet.

Hiba Alnajef, një mjeke asistente në pediatri në një spital në Nauen, afër Berlinit, ka përjetuar racizmin nga afër dhe është dëshmitare e tij edhe në vendin e punës.

“Ndonjëherë e përjetoj këtë në spital, në urgjencë, ku trajtojnë pacientë të huaj që nuk dinë mirë gjermanisht. Kjo është vërtet e trishtueshme,” tha Alnajef.

Nëse të gjithë 10.000 mjekët sirianë që punojnë në Gjermani do të ktheheshin brenda natës në Siri, sistemi shëndetësor do të shpërthente, thotë Alnajef, e cila do të kthehej në atdhe vetëm nëse vendi do të ishte i rregulluar.

“Mendoj se shumë sirianë do të kthehen në shtëpi, ata që nuk e kanë dashur Gjermaninë,” thotë Modamani.

Gjermania po bëhet një shoqëri që plaket dhe jo më moderne; asaj i duhen 400.000 punëtorë të kualifikuar dhe të pakualifikuar imigrantë çdo vit. Për shkak të reputacionit në rënie, rritjes së intolerancës dhe nëse edhe sirianët e kualifikuar largohen, Gjermania do të vazhdojë të vuajë nga mungesa akute dhe kronike e fuqisë punëtore.

Exit mobile version