Punë bizantësh

Tregohet se ushtria e Bizantit kishte rrethuar një fis arab, i cili ishte mbyllur në një kështjellë të madhe. Ushtria e Bizantit e kishin rrethuar kështjellën dhe ishin gati ta mësyjë për të shtënë në dorë pasuritë dhe robërit e robëreshat. Ata e mbajtën të rrethuar për disa ditë, por nuk po e çanin dot rrethimin. Ditët kalonin dhe fisi arab brenda kështjellës as që e kishin ndërmend të dorëzohen. Kur rrethimi filloi të shtrihej në muaj, gjë e cila e rëndon situatën brenda kështjellës, njëri nga burrat e mençur brenda fisit i tha kryetarit:
“Sado të durojmë dhe të rezistojmë, do të vijë një kohë kur do të dorëzohemi, aq më tepër që nuk na vijnë furnizime. Sakaq, ushtrisë armike i vijnë furnizime si në trupa ashtu dhe në ushqime dhe armatime. Prandaj duhet të shohim një zgjidhje.”
Kryetari i fisit uli kokën dhe pasi u mendua pak tha:”Dakord, por cila është zgjidhja?”
Burri i mençur iu përgjigj:”Të ulemi dhe të negociojmë me bizantët; Ose të largohen dhe të mos derdhet gjak, ose tu bëjmë një pyetje. Nëse e gjejnë përgjigjen e pyetjes, do të dorëzohemi me kusht që të na garantohet jeta. Sido që të vejë puna, ne të humbur jemi.”
Kryetari u mendua gjatë dhe e pyeti:”Cila është pyetja jote që dashke t’ua drejtosh?”
Burri i mençur i tha:”Ma sillni komandantin e tyre dhe do e shohësh vetë ç’do u punoj!”
Menjëherë u nis një i dërguar drejt kampit të ushtrisë armike dhe pas pak u kthye i shoqëruar me komandantin e ushtrisë bizantit. Sigurisht, përfaqësuesi i bizantit u prit me të gjitha nderimet. Pasi ishin bërë përshëndetjet e rastit, komandanti bizant e pyeti:”Besoj se më keni thirrë që të dorëzoheni!”
Burri i mençur i tha:”Po, por pasi ti përgjigjeni një pyetjeje. Nëse e gjen përgjigjen, do ta dorëzojmë kështjellën me gjithçka ka brenda.”
Komandanti bizant tha:”E nëse nuk e gjejmë?”
Burri i mençur:”Nuk do të dorëzohemi derisa të shuhemi me mace e me mi.”
Komandanti pasi u mendua pak tha:”Mirë, cila është pyetja?”
Burri i mençur u përgjigj:”Do ta them por me një kusht; Që kësaj pyetjeje ti përgjigjet e gjithë ushtria dhe të keni mendim unanim.”
Komandanti:”Pajtohem, më thuaj pyetjen tani.”
Burri i urtë tha:”Na tregoni, kush ka lindur para, pula apo veza?”
Menjëherë si të kishte gjetur një thesar të vyer, komandanti u përgjigj:”Pula! Jo, jo, veza. Pula, veza. Prisni, prisni sa të shkoj tek ushtarët e mi, të këshillohem dhe të vij me përgjigjen e kësaj pyetjeje koti.”
Doli jashtë komandanti dhe i pyeti ushtarët:”Kush ka lindur para, pula apo veza?”
Disa prej tyre bërtitën:”Pula” disa të tjerë:”Veza” dhe kështu filloi debati jo pula jo veza. Debati filloi të ashpërsohej dhe nga fjalët kaluan në britma, sharje, ofendime dhe dyluftime. Ushtria u hallakat në atë far feje saqë askush se kishte më mendjen tek kështjella e arabëve. Ata sapo kishin humbur një betejë kundra vetes. Që atëherë, tek arabët ka mbetur shprehja:”Punë bizantësh!”
Perktheu: Elmaz Fida