Nuk e di a ka fe apo ideologji që vlerëson punën e ndershme dhe punëtorët më tepër sesa e vlerëson feja Islame punëtorin dhe kërkimin e punës. Kushdo që mundohet t’i paraqesë punëtorëve lëvdata e shpërblime nuk mund ta shpaguajë djersën dhe gjakun që ata japin për veten dhe shoqërinë!
Feja Islame na urdhëron që të aplikojmë besimin me punë dhe sjellje. Në Kur’anin Fisnik gjenden ajete kur’anore që nxisin për besim dhe menjëherë pas tij edhe për punë si dhe sqarojnë shpërblimin e punëtorëve të devotshëm.
Profeti Muhamet nxit dhe thotë: ”Kush ngryset i ngopur nga puna e duarve të veta ngryset i falur nga mëkatet“
Një punëtor erdhi të takonte Profetin a.s. dhe kur deshi ta përshëndet profetin duart ai i mbështjelli me një fashë, Profeti a.s. tha: “Pse e mbështjell dorën tënde kur takohesh me mua? Ai tha: O i Dërguar i Allahut, duart e mia i kam të çara nga puna e shumtë. Profeti a.s. i hoqi fashat prej duarve të tij, i puthi ato dhe i ngriti duke i tundur para shokëve si flamur dhe tha: Këta duar i donë Allahu dhe i Dërguari i Tij”.
Jo vetëm kaq, por vështrimi i Islamit shkon edhe më larg për punën duke e nxitur njeriun të punojë edhe nëse ka afruar Kiameti dhe nuk ka dobi kush prej punës së vet, ka thënë Profeti a.s: ”Kur të afrohet Kiameti dhe njëri prej jush ka në dorën e tij një fidan po mundi ta mbjellë le ta mbjellë”.
Nga: Hoxhë Fidaim Fazliu