Pulë deti me përshesh, receta tradicionale e zonjave duararta të jugut

PËRBËRËSIT PËR PËRSHESHIN: 1 pulë deti • 3 presh, vetëm pjesa e bardhë • 50 g gjalpë • 10 g nenexhik i thatë • 1 tufë nenexhik i freskët • kulaç i thërrmuar, i përgatitur si më poshtë.

PËRBËRËSIT PËR KULAÇIN: 500 g miell • 1 vezë • 250 g kos • 10 g sodë buke • kripë.

PËRGATITJA: Ndezim furrën në temperaturën 180° C. Në një tas hedhim miellin, sodën me sitë dhe i përziejmë me pirun. Në një tas tjetër rrahim vezën me kosin dhe kripën. Hedhim masën në tasin ku kemi miellin dhe e punojmë me dorë derisa të përftojmë një brumë të butë. E vendosim në tavën e veshur me letër furre ose të lyer me miell dhe fillojmë ta hapim me dorë duke e shtypur deri në një trashësi 2 cm. E pjekim për 40-50 minuta, e heqim dhe e lëmë të ftohet plotësisht. Pasi ftohet, e thërrmojmë kulaçin dhe e vendosim në tavë që të thahet, prandaj është mirë të përgatitet një ditë më parë, në të kundërt mund ta thajmë të thërrmuar në furrë në temperaturën 50 gradë derisa të shohim që është bërë krokant. Pulën, pasi e kemi larë dhe tharë me letër kuzhine e kripim brenda dhe jashtë, e lyejmë me gjalpë dhe e vendosim të piqet në një tavë ku kemi hedhur pak ujë (një gisht ujë). Vëmë tavën të piqet në furrë të cilën e kemi ngrohur më parë në maksimum, por pasi vendosim pulën e ulim temperaturën në 150 gradë. E lagim me lëng sipas nevojës. Lëngun që lëshon pas pjekjes së plotë e mbledhim në një enë që ta përdorim për përsheshin. Në një tigan me gjalpë skuqim preshin të prerë imët, derisa të zbutet, shtojmë lëngun e pulës dhe e lëmë të ziejë për 10 minuta. Shtojmë nenexhik të thatë, nenexhik të freskët dhe më pas kulaçin e thërrmuar. E përziejmë me kujdes për disa minuta. Kulaçi duhet të zbutet, por të mbetet dhe krokant. E heqim nga zjarri, e lëmë të pushojë të mbuluar për disa minuta dhe më pas e shërbejmë së bashku me pulën e pjekur.