Pudingu me Fara Chia, Receta e Ëmbël që Shuan Nepsin

Fara Chia janë fara të vogla të zeza nga bima Salvia Hispanica e cila bën pjesë në të njëjtën familje botanike të sherbelës që rritet gjerësisht në Shqipëri.

Ato janë shumë të pasura me ushqyes, sidomos me fibër e cila ndihmon me ngopjen dhe ndjesinë e plotësisë.

Një racion prej 25 gramë fara chia ofron 9 gramë fibër,e rëndësishme për tretjen.

Fibra është e rëndësishme për tretjen.

Farat Chia përmbajnë gjithashtu omega-3 bimore, alfa acid linolenik (ALA),  proteina  dhe minerale si kalciumi, magnezi dhe mangani.

Këto fara përdoren në shumë receta gatimi të kripura, por edhe të ëmbla.

Si Të Përgatisni Pudingun Me Fara Chia

Kjo ëmbëlsirë përgatitet krejt lehtë dhe ka vetëm 4 përbërës.

  • 2 lugë gjelle fara Chia
  • Gjysmë filxhan çaji qumësht bajamesh ose qumështin tuaj të preferuar
  • 1 lugë çaji mjaltë
  • Luleshtrydhe ose fruta të tjera pylli

Përgatitja:

Merrni enën tuaj të preferuar, mundësisht filxhan ose kavanoz për lëngje frutash dhe mbusheni me qumësht, farat Chia dhe mjaltin.

Lërini së bashku për 2-3 minuta dhe përziejini mirë deri sa të mos kenë mbetur grimca të trasha.

Vendosini enës kapakun dhe mbajeni në frigorifer për të paktën 2 orë.

Më pas, para servirjes shtoni frutat tuaja të preferuara dhe konsumojeni të ftohtë.

Në vend të luleshtrydheve mund të zgjidhni rrush të thatë, arrorë të ndryshëm, arrë kokosi e të tjerë.

Kjo ëmbëlsirë është shumë e shëndetshme për tre arsye:

  • Është e pasur me fibër
  • Është e pasur me proteinë
  • Përmban yndyrna të shëndetshme.

Të tre këto ushqyes ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të nivelit të sheqerit në gjak, kolesterolit por edhe shëndetin e sistemit tretës.

Proteina ndihmon në masën muskulare ndërsa yndyrnat ju mbajnë të ngopur për më gjatë.