Është publikuar renditja e re e Federatës Botërore të Xhudos, dy javë para fillimit të Kampionatit Botëror që mbahet në Budapest të Hungarisë.
Dy herë kampionia e botës në kategorinë deri 52 kilogram, Majlinda Kelmendi, vazhdon të mbetet bindshëm e para. Me 3150 pikë, ajo kryeson renditjen, e ndjekur nga braziliania, Erika Miranda, që ka 640 pikë më pak.
Në kategorinë e njëjtë, Distria Krasniqi, mbetet në vendin e gjashtë me 1897 pikë, njofton KOK.
Në kategorinë deri 57 kilogram, Nora Gjakova është në vendin e tetë me 1854 pikë.
Në konkurrencën e meshkujve, Akil Gjakova është në pozitën 42 të kategorisë deri në 73 kilogram. Ai ka 584 pikë. Të katër garuesit tonë do të marrin pjesë në Botërorin e Budapestit, që fillon më 28 gusht 2017, ku Kosova synon medalje.