Raporti i agjensive amerikane të inteligjencës del në përfundimin se urdhrin për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara e dha Vladimir Putini.
Raporti i paklasifikuar u bë publik disa orë pasi Presidenti i zgjedhur Donald Trump u informua mbi përfundimet e krerëve të shërbimit sekret. Aty theksohet se agjentët rusë të zbulimit kanë kryer sulme kibernetike kundër objektivave të lidhura me zgjedhjet e vitit 2016 e që përfshijnë të dyja partitë politike.
“Sipas vlerësimit tonë, Putini dhe qeveria e Rusisë kishin një preferencë të qartë për Presidentin e zgjedhur, Trump”, thuhet në dokumentin 25-faqësh. Qëllimi i Moskës ishte të minohej besimi publik tek procesi demokratik amerikan e të denigrohej kundërshtarja demokrate e Trumpit, Hillary Clinton në mënyrë të tillë që të dëmtoheshin shanset e saj për marrjen e Presidencës.
Pas ditës së zgjedhjeve besohet se zbulimi rus filloi të bëjë objekt të sulmeve kibernetike punonjës të qeverisë amerikane dhe individë të lidhur me institucionet studimore dhe organizatat joqeveritare në fushën e sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme. Ato që u bënë të njohura përmes WikiLeaks nuk përmbanin falsifikime të dukshme.
Komuniteti i inteligjencës, nga sa pohohet aty, ndan bindjen se ishte shërbimi i zbulimit rus të ushtrisë, GRU ai që ia dha WikiLeaks-it materialet e marra nga Komiteti Kombëtar Demokrat dhe zyrtarët e lartë të kësaj partie.
Donald Trump reagoi pas njohjes me raportin, duke thënë se rezultati i zgjedhjeve nuk u prek nga kjo situatë, ndërsa e akuzoi përmes Twitter-it Komitetin Kombëtar Demokrat për neglizhencë të pafalshme sepse e lejoi, sipas tij, hakerimin që të ndodhte.
Në vazhdën e publikimit të raportit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare njoftoi se makinat e votimit dhe të tjerë elementë kyçë të mbledhjes së të dhënave zgjedhore do të klasifikohen si “infrastrukturë kritike” e do t’u jepet mbrojtje shtesë nga sulmet në internet.