Ballina Artikuj Psikologjia e mërgimtarit!

Psikologjia e mërgimtarit!

Hoxhë Halil Avdulli

Shkruan: Halil Avdulli

Emigrimi mund të konsiderohet si një nga tri goditjet më të mëdha që mund ta përjetojë një person në jetë, pas ndarjes nga barku i nënës, me lindjen dhe ndarjen fizike-emocionale, me braktisjen e gjirit të nënës…  

Në përgjithësi, mërgimtari është person i pakënaqur me realitetin e atdheut të tij për arsye të ndryshme, dhe nga pamundësia për ta ndryshuar atë, ai vendos të emigrojë prej tij.

Mërgimtari përvetëson me kohë një identitet të dyfishtë, me një përzierje të çuditshme të personalitetit, që ndryshon nga individi në individ.

Ka emigrantë, që ambientohen me vendin e ri 100%, dhe si rezultat i kësaj mund ta urrejnë origjinën e tyre, e që ky është i ashtuquajturi asimilim.

Ka të tjerë që me fanatizem e mbajnë identitetin dhe kulturën e tyre, dhe e urrejnë kulturën e vendit ku kanë imigruar, e për pasojë, të tillët jetojnë në një gjendje izolimi nga shoqëria (disa nga ta kthehen në atdheun e tyre pas një kohe) ….

Pjesa e tretë e emigrantëve, arrijnë fazën e ekuilibrit dhe integrimit dhe nuk kanë ndonjë  konflikt midis dy identiteteve, identitetit bazë dhe përvetësimit të një identiteti të ri …. Në përgjithësi, të gjithë emigrantët gradualisht përvetësojnë një identitet të dyfishtë i quajtur identitet hibrid. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me mërgimtarët shqiptarë, siç e dëgjojmë shpesh, shqiptaro-amerikanët, shqiptaro-gjermanët, shqiptaro-zviceranët etj, por kjo kryesisht ndodh me gjeneratën e dytë ose të tretë të emigrantëve.

Zakonisht, brezi që ka bërë emigrimin dhe paraprakisht një pjesë të jetës e ka kaluar në vendlindje, zakonisht në bisedat me ta vëren pakënaqësi dhe ngushtësi me rrethanat e vendit të ri, sado i zhvilluar të jetë vendi ku ata janë vendosur.

Pra, pse mërgimtari përjetë do të mendojë për atdheun, familjen dhe miqtë e tij të vjetër pasi të vendoset në një vend tjetër, pse ai përjetë do t’i dëgjojë lajmet e vendit të tij? Përgjigja është shumë e shkurtër:

se me vendin amë njëriu ka një lidhje të pashpjegushme shpirtërore, emocionale. Ngjashëm me rrënjët e një peme të ngulitura thellë nën tokë, që me syrin e thjesht nuk duken, por që e mbajnë mbi tokë dhe janë shumë thellë në të.

Këtë realitet e pohon edhe Allahu në Kur’anin fisnik, kur bënë krahasimin mes daljes së shpirtit dhe daljes nga atdheu, që në principin e Kur’anit të dyjat janë të rënda:  

“Sikur t’i kishim obliguar ata: të mbytnin  vetveten, apo të dilnin nga vendet e tyre, nuk do ta zbatonin, me përjashtim të një pakice prej tyre”. Kur’an, Nisa, 66

Pse atdheu nuk e lë rahat mërgimtarin është edhe një arsye tjetër.

Ekziston një ndjenjë e fshehur e fajit për largimin nga atdheu, një ndjenjë dezertimi nga idealet e atdheut, e që me këtë rast, shumë mërgimtarë nga e gjithë bota e thonë: “Vendi ku kam ardhur është gruaja ime, por Vendi ( pse me të madhe Vendi) ku jam lindur është nëna ime” ….

Shembulli më i përafërt i gjendjes emocionale dhe psikike të mërgimtarëve është sikur puna e atij që vallëzon në shkallët e shtëpisë. Pra, është momenti kur i pëshpërit vetes tënde dhe i thua: unë as nuk jam dhe as nuk do të bëhem kurrë zviceran, por edhe shqiptar e kam vështirë të mbetem, ose si dikur kur thonim “as me shehër, as me Barilevë”.

Fatkeqësia shtohet edhe më tepër atëherë kur gjendjen e mërgimtarit s’do të arrijnë ta kuptojnë kurrë brezi i familjes së ngushtë i lindur tashmë në mërgatë, që për rrjedhojë nuk e konsideron vendlindjen e babit të tij si vendlindje të vetën dhe nuk ka emocione për të, bile shpesh e sheh me neveri se pse baba dhe nëna kaq shumë dëgjojnë lajme për ata poshtë!

Në anën tjetër, mërgimtarin nuk do ta kuptojnë kurrë as bashkëvendasit e tij, përkatësisht shokët dhe familjarët e tij të mbetur në atdhe. Pak nga xhelozia, pak duke e cilësar si njëfarë dezertuesi për interes.

Ndoshta nuk është rastësi që shumë nga mjekët e lashtë e bënë atdheun një ilaç për sëmundjet. Hipokrati ka thënë: “Secili i sëmurë duhet të shërohet me ilaçet e tokës së tij”. Kurse, Platoni thoshte: “Ushqimi i atdheut është një nga ilaçet më efektive”.

Edhe sot e asaj dite atdheu i ynë vazhdon të prodhojë të rinj e të reja sikur të ishin lule të pranverës, por pushtetarët tanë, pushtuesit e huaj (tani pse pushtuesit e huaj) dhe rrethanat politike e ekonomike arritën dalëngadalë ta zbrazin atdheun nga bijtë dhe bijat e tij. Nëse jo të gjallë, të vdekur do të na  pranojë toka e jonë, atje thellë diku në varrezat e fshatrave tona do të pushojnë trupat tanë, duke e kompenzuar gjithë atë mall të mungesës së gjatë. Varret e mërgimtarëve duhet të kenë edhe nga një frangji, përmes së cilës do t’i kthenin nostalgjitë dhe kujtimet e tyre të fëmijërisë në prehrin e nënave të tyre.

Nëse trupin tonë duhet ta hajnë krimbat e tokës, le të jenë ata të tokës tonë!!!

 

Exit mobile version