Pse Shqipëria është e varfër?

Edhe pse kemi “studiues dhe ekspertë” të shumtë me apo pa grada shkencore në fushën e ekonomisë, studentët shqiptarë të ekonomisë, publik e privat, e mbyllin universitetin me studime të huaja që tregojnë histori suksesi apo dështimi të bizneseve në vende të zhvilluara.

Po ashtu studentët shqiptarë studiojnë kryesisht përkthime të ndryshme të studimeve që kanë kryer studiues të vendeve të zhvilluara si SHBA, Japoni, Britani e Madhe, Francë etj, duke mbetur edhe ata në fund të paditur mbi ecurinë dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Nuk ka ende asnjë studim në Shqipëri, (të paktën në literaturën akademike shqiptare), që të tregojë nivelin e varfërisë apo shkaqet që kanë lënë një përqindje të madhe të popullsisë së vendit ende në varfëri, si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

Po ashtu edhe të tregojë gjendjen dhe sesi ka dalë nga varfëria pjesa tjetër e popullsisë.Megjithatë, pavarësisht mungesës së studimeve të tilla, besohet gjerësisht nga vetë shqiptarët se 27 vjet pas rënies së komunizmit mbetemi ende sot një ndër vendet më të varfra të rajonit dhe të Europës.

Në një artikull të fundit të “borgenproject.org” flitet për nivelin dhe shkaqet e varfërisë në ShqipëriArtikulli me titull “Pse është e varfër Shqipëria?” përpiqet ta japë disa shpjegime, si më poshtë…

Shqipëria, e pozicionuar në Detin Mesdhe, në jug të Italisë, është një nga vendet më të varfra në Evropë. Por pse Shqipëria është e varfër?Është e rëndësishme të diskutojmë jo vetëm shkaqet e varfërisë në Shqipëri, por edhe standardet për varfërinë në Shqipëri.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u bë një shtet komunist nën regjimin e Stalinit, por nuk ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1989, sundimi komunist në Evropë u shemb dhe në vitin 1990 u formuan parti politike të pavarura në Shqipëri.

Në vitin 1992, Partia Demokratike fitoi zgjedhjet, duke i dhënë fund zyrtarisht regjimit komunist në Shqipëri, pas 47 vjetësh.

Pse Shqipëria është e varfër? Tranzicioni i vendit nga një regjim komunist në një treg të lirë, në një republikë demokratike ka ndërprerë rritjen ekonomike dhe ka shkaktuar nivele të larta të varfërisë.

Pjesa më e madhe e varfërisë në Shqipëri konsiderohet e thellë, ku të ardhurat janë nën standardet minimale të pranueshme, njerëzit përpiqen të plotësojnë nevojat themelore siç janë ushqimi, veshja dhe ngrohja. Shqiptarët përballen me shërbime të dobëta publike dhe shërbime shoqërore të paarritshme.

Shumë qytetarë të cilët nuk përballen me varfërinë, ndihen ende të kërcënuara nga ajo.Standardet për varfërinë në zonat rurale dhe urbane, megjithatë, janë të ndryshme në bazë të rrethanave.

Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore që nga 2013, 25-30 për qind e shqiptarëve në zonat rurale jetojnë në varfëri dhe rreth 15 për qind e shqiptarëve që jetojnë në zona urbane. Këto statistika lidhen me kushtet e pjesës tjetër të popullsisë rurale dhe urbane të Shqipërisë.

Shumica e familjeve rurale jetojnë në male dhe në zona të larta. Përcaktuesit kryesorë të varfërisë rurale janë madhësia e fermës, blegtoria dhe të ardhurat jashtë fermës.

Rreth 25 përqind e popullsisë rurale jeton në një fermë që është shumë e vogël për të siguruar një nivel të mjaftueshëm të jetesës.Varfëria urbane ka karakteristika të ndryshme nga varfëria rurale.

Varfëria urbane në Shqipëri ka të bëjë me nivelin e arsimimit dhe statusin e punësimit të kryefamiljarit, numrin e fëmijëve në familje dhe numrin e brezave të varur në një familje (nëse ka gjyshër apo nipër e mbesa).

Ndërsa shumë shqiptarë migrojnë nga zonat rurale në zonat urbane, varfëria fillon të bëhet e përqendruar në zonat më rurale dhe malore.Shqipëria ka bërë megjithatë hapa kohët e fundit në uljen e varfërisë.

Burimet kryesore të prodhimit të vendit – bujqësia dhe ndërtimi – janë sektorë privatë. Reduktimi i përfshirjes së shtetit është veçanërisht i rëndësishëm në bujqësi, e cila tani është kryesisht në pronësi private.

Përveç kësaj, liberalizimi i çmimeve, tregtisë dhe këmbimit valutor ka ndihmuar ekonominë të rritet. Banka Botërore e klasifikoi Shqipërinë si një vend me të ardhura të mesme më të larta që nga 2010.

Përqindja e shqiptarëve nën kufirin e varfërisë ka rënë ndjeshëm, nga 25.4 përqind e qytetarëve në 2002 në 14.3 përqind në vitin 2012.Në vitin 2009, Shqipëria aplikoi për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe u konfirmua si kandidate në 2014.

Megjithatë, Shqipëria nuk pritet të bashkohet me BE deri në vitin 2020, pasi BE i ka kërkuar Shqipërisë që të (reforma në drejtësi) që të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, veçanërisht atë lidhur me trafikimin e qenieve njerëzore dhe trafikun e drogës.

Ndonëse Shqipëria historikisht është renditur si vendi më i varfër në Evropë, varfëria në Shqipëri me kalimin e viteve po fillon të ulet ngadalë.

Shqipëria pas Luftës së Ftohtë, nga tranizicioni i gjatë tani në një kandidat të mundshëm të BE-së dëshmon se ky vend ka potencial të kalojë nga varfëria ekstreme.

Dhe ndoshta më tej nuk mund të jetë më nevoja t’i japin një përgjigje pyetjes: “Pse Shqipëria është e varfër?” (Christiana Lano/ AFP.al)/Mesazhi/