Duke iu referuar bisedimeve ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për blerjen e sistemit të mbrojtjes antiraketore S-400 zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit (ShBA), Heather Nauert tha se “është e rëndësishme për shtetet anëtare të NATO-s të përdorin materiale ushtarake që përshtaten me sistemet e NATO-s”.
Vlerësimet mbi bisedimet që vazhdojnë ndërmjet Turqisë dhe Rusisë për sistemin antiraketor S-400 zëdhënësja Nauert i bëri në konferencën ditore për informimin e mediave.
“Është e rëndësishme që shtetet anëtare të NATO-s të përdorin materiale ushtarake që janë në përputhje me sistemet e NATO-s. Sistemi rus, nëse siç flitet Turqia blen raketat S-400, nuk përshtatet me këto standarde (të NATO-s) dhe kjo është një situatë shqetësuese për ne”, tha Nauert.
Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në kthim të vizitës në Kazakistan, ku kishte shkuar për të marrë pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit Islam kishte bërë këtë deklaratë për gazetarët që e shoqëruan në avion:
“Mendoj se askush nuk ka të drejtë të diskutojë parimet apo vendimet e pavarura që Republika e Turqisë merr mbi industrinë e saj të mbrojtjes apo mbrojtjen e saj. Vendimet që kanë të bëjnë me pavarësinë tonë ne marrim vet; po ashtu edhe masat për të mbrojtur vendin tonë; e kemi për detyrim që ti marrim vet edhe masat që kanë të bëjnë me sigurinë”.