Ballina Sport Futboll Pse Rashica nuk luajti fare ndaj Mainz?

Pse Rashica nuk luajti fare ndaj Mainz?

Werder Bremen ka luajtur ndeshjen vendimtare ndaj Mainzit të shtunën, ndeshje që në fund u humb me rezultat 3-1.

Por ajo që çuditi të gjithë adhuruesit e klubit dhe mediat gjermane ishte lënia në stol e Milot Rashicës, golashënuesit më të mirë këtë edicion të Werderit.

Ylli kosovar u la në stol për gjatë 90 minutave dhe në asnjë moment trajneri Florian Kohfeldt nuk e ftoi për tu aktivizuar.

Në fakt trajneri gjerman Kohfeldt e ka mbrojtur gjatë gjithë kohës Rashicën, por pas ndeshjes së djeshme e ka kritikuar atë duke zbuluar edhe arsyen pse e la në bankë.

“E kam parë Milotin në ndeshjet e fundit dhe ai nuk ndërmori asnjë aksion të rrezikshëm në takimet kur luajti nga fillimi”, tha Kohfeldt duke sulmuar Rashicën për mos angazhim në ndeshjet e fundit.

“Shpresoja që për një moment loja të bëhej më e hapur për ne dhe ta inkuadroja Milotin për ta përdorur shpejtësinë e tij, por kjo gjë nuk ndodhi. Nuk funksionoi asgjë, unë vetëm kështu mund ta shpjegoj”, deklaroi i dëshpëruar tekniku gjerman.

Në anën tjetër mediat gjermane kanë raportuar se mosaktivizimi i Rashicës ka të bëjë me transferimin e tij të ardhshëm.

Në Gjermani janë të bindur se reprezentuesi i Kosovës ka një marrëveshje me RB Leipzig për ta zëvendësuar Timo Wernerin që ka kaluar te Chelsea.

23-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 31 ndeshje mes kampionatit dhe Kupës së Gjermanisë, duke shënuar 10 gola e duke bërë gjashtë asistime.

Në rast se Werder Bremen bie nga elita e futbollit gjerman javën e ardhshme, atëherë Rashciës do t’i aktivizohet klauzola e largimit për vetëm 15 milionë euro nga klubi aktual.

Exit mobile version