Pse per dhunen ne Mianmar ka reaguar vetem Erdogan
Prej muajsh të tërë, një komunitet pakicë është duke u masakruar sistematikisht nga shteti sovran, në të cilin ai jeton.
E si të mos mjaftonte, po i djegin shtëpitë, fshatrat dhe qytetet. Megjithatë kjo është vetëm gjysma e së keqes: Njerëzit – pa dallime në gra, fëmijë apo të moshuar – janë duke u djegur për së gjalli ose po bëhen copë e çikë me thika kasapi.
Foshnjat dhe të moshuarit po i hedhin dhe mbytin me forcë në ujëra të thella apo të rrëmbyera.
Autorë të gjithë kësaj kërdie janë një shtet dhe murgj, ushtarë apo civilë budistë të mbështetur nga administrata shtetërore.
Viktima nuk janë rohingianët, por njerëzimi vetë. Të gjitha organizatat ndërkombëtare, përfshi Kombet e Bashkuara në krye të tyre, heshtën për këtë masakër. Pavarësisht se rohingianët janë myslimanë, dhjetëra vende islame nuk thanë qoftë edhe një fjalë të vetme.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ishte i vetmi që u revoltua me të drejtë dhe reagoi ashpër kundrejt masakrës në Arakan (Rakine)duke e ngritur atë në majat e agjendës botërore.
Bashkimi Evropian dhe vendet perëndimore, të cilat veprojnë me ndjeshmëri mjaft të lartë jo vetëm për të drejtat e njeriut, por edhe për mjedisin dhe të drejtat e kafshëve, heshtën që të gjitha karshi egërsisë në Mianmar (Birmani).
Të gjitha vlerat humane të Evropës dhe të Perëndimit po masakrohen sërish nga vetë bota perëndimore që prej rreth 35 vitesh. Dhe, tani, Perëndimit nuk i ka mbetur më asnjë argument.
Sa herë që Perëndimi dhe sidomos Bashkimi Evropian shqipton fjalët “të drejtat e njeriut” dhe “demokracia”, gjithkush e di se nën këto fjalë qëndron interesi ekonomik. Këtë të vërtetë të hidhur e njohin shumë mirë edhe ata perëndimorë, që ndërgjegjja iu rron ende.
Perëndimi do të përmendet në histori si një qytetërim, i cili s’ka ditur t’i shmanget vetasgjësimit duke konsumuar e shteruar vlerat e veta. Dhe kam frikë se ne do të bëhemi dëshmitarë të kësaj drame.
Mu në kërthizë të Evropës, pak më shumë se një çerek shekulli më parë, Perëndimi firmosi aktin e kapitullimit të tij duke luajtur rolin e të verbrit ndaj gjenocidit të serbëve në Bosnjë-Hercegovinë.
Kjo u ndoq nga qëndrimi i tij në lidhje me luftën civile në Liberi. Dhe, sigurisht, pushtimi i Irakut e Afganistanit mbi pretendime të pabaza dhe fakte të sajuara bëri që besimi ndaj Perëndimit të prekë fundin.
Kurse qasja perëndimore në lidhje me Pranverën Arabe shoi edhe ato pak shpresa që kishin mbetur. Për mendimin tim, vlerat perëndimore dhanë frymën e fundit kur shtetet përfaqësuese të tyre mbështetën puçistët në rastin e përmbysjes së Mohamed Morsit, që ishte zgjedhur me rrugë demokratike nga shumica dërrmuese e popullit egjiptian.
Ngjarja e fundit, e cila shpalosi hipokrizinë e Perëndimit, ishte pritja dhe strehimi i puçistëve, që tentuan të rrëzojnë presidentin e zgjedhur me votë të lirë dhe demokratike në Turqi.
Ushtarakët e implikuar në tentativën e 15 korrikut të vitit të kaluar (2016) për grusht shteti në Turqi vranë qindra dhe plagosën mijëra civilë. Ndërsa bota perëndimore dhe BE-ja i përqafuan këta terroristë dhe u dhanë të gjithëve statusin e refugjatit.
Sot, heshtja e po këtij Perëndimi ndaj kërdisë në Arakan nuk shkakton zemërim dhe indinjatë tek askush. Sepse njerëzit tani e dinë që koncepte të tilla si demokracia, barazia, të drejtat e njeriut dhe morali janë thjesht instrumente, të cilat bota perëndimore i shfrytëzon për interesat e veta.
Ajo çfarë po jetohet në Arakan të Mianmarit është realisht një konflikt i ngjashëm me luftërat me prokurë në Siri, Irak dhe Libi.
Fuqia më e madhe ushtarake dhe ekonomike e botës perëndimore nuk do as që Kina të rritet si një fuqi ekonomike dhe as që Rruga e Mëndafshit të jetësohet apo gjallërohet sërish.
Më shumë se gjysma e tregtisë detare globale kalon nga Ngushtica e Malakës. Në rajonin dominues të kësaj ngushtice gjenden tubacionet, të cilat çojnë naftë dhe gaz natyror në Kinë. Rrezikimi i këtyre dy linjave energjetike mjaft të rëndësishme për Kinën do ta bënte ekonominë e këtij vendi të brishtë.
Tubacionet në fjalë kalojnë Arakani dhe shteti i Mianmarit ushtron presion e dhunë të çdollojshme mbi myslimanët rohingianë që kur ka fituar pavarësinë. Mirëpo ky presion, nga viti 2010 e deri më sot, ka marrë përmasat e gjenocidit dhe spastrimit etnik.
Dhuna solli më shumë dhunë dhe një organizatë terroriste e pajisur me armë jashtëzakonisht moderne, të sofistikuara e të shtrenjta u shfaq befasisht në Arakan, një rajon nën darën e urisë. Kjo organizatë terroriste do të luftonte gjoja për të drejtat e rohingianëve. Por, në të vërtetë, çdo aksion i saj u kthye në mortje dhe persekutim për rohingianët.
Kalimi i linjave energjetike më të rëndësishme dhe i gati 80 për qind të tregtisë detare të Kinës nga Ngushtica e Malakës i ka shtyrë ekonomitë, që e shikojnë këtë shtet me popullsinë më të madhe në botë si kërcënim, për të gjetur rrugëzgjidhje të reja.
Tashmë është zbuluar se qëllimi real i të fortëve të botës perëndimore, të cilët hynë në Afganistan dhe Irak me pretekstin për të asgjësuar armët e shkatërrimit në masë, ishte kryekëput i ndryshëm.
Vallë a nuk është e çuditshme mungesa e intelektualëve, që pyesin përse ushtarët perëndimorë vazhdojnë ende të qëndrojnë në këto vende edhe pasi u vërtetua se ato nuk zotërojnë armë bërthamore dhe të shkatërrimit në masë?!
Lufta me prokurë, që Perëndimi ka nisur në Lindjen e Mesme qysh prej vitit 1991, për fat të keq, tashmë ka bërë metastazë edhe në Azi. Shpresoj që logjika shtetërore e Mianmarit të triumfojë dhe të shpëtojë veten nga vorbulla që e ka rrëmbyer.
Përmes gjenocidit mbi myslimanët rohingianë kërkohet të ndryshohet harta etnike, politike dhe e sigurisë së këtij rajoni. E sigurt është se këto ngjarje s’do të kufizohen vetëm me rohingianët. Unë shpresoj, uroj dhe lutem që bota të mos instrumentalizohet më shumë nga kjo luftë e ndyrë me prokurë.
Autor: Erdal Simsek – Lektor i historisë në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara
Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara./Mesazhi/