E keni vënë re sa të plogësht e të përgjumur jeni pas konsumit të një dreke të bollshme?
Ngopja dhe qetësia vështirësojnë mbajtjen hapur të syve dhe dëshira për një gjumë ‘të fuqishëm’ është shumë e madhe.
Me zhargonin popullor, kjo ndjesi mund të përshkruhet mirë duke thënë se në këto raste ‘të zë buka.”
Në përgjithësi, dëshira për gjumë pas ngrënies është krejt normale dhe nuk ka vend për shqetësim.
Tretja
Ekzistenca jonë lidhet fort me energjinë e organizmit.
Këtë energji e marrim nëpërmjet ushqimit që shpërbëhet në glukozë dhe kalon në sistemin tretës.
Gjatë transformimit të ushqimit në energji, i gjithë cikli tretës ndez një sërë reagimesh në organizëm.
Gjatë ngrënies çlirohen tre hormone që rrisin nivelin e ngopjes.
Është shumë interesant fakti që gjatë kësaj kohe, në tru çlirohet serotonina, hormoni i lumturisë që na trullos.
Ushqimi ka ndikim edhe në prodhimin e melatoninës, hormoni që nxit gjumin.
Kjo është arsyeja përse ndihemi si të dehur pasi kemi ngrënë.
Regjimi ushqimor
Ushqimet mund të treten njësoj, por ndikimi i tyre në organizëm nuk është i njëjtë.
Disa ushqime si gjeli i detit ju përgjumin më shpejt se të tjerët.
Ushqime të tjera me proteinë siç janë spinaqi, soja, vezët, djathi dhe peshku përmbajnë një amino acid që përdoret në organizëm për të krijuar serotoninën, që shkakton ndjesinë e plogështisë pas ushqimit.
Lajmi i mirë është se ka ushqime që mund të kenë një ndikim të kundërt.
Për shembull, një regjim ushqimor i pasur me perime, drithëra dhe yndyrna të shëndetshme promovon energji të qëndrueshme për organizmin.
Pirja e ujit, shmangia e sheqerit të tepërt dhe racionet e vogla mund t’ju ndihmojnë.
Regjimi i gjumit
Nuk është çudi që, nëse nuk flini mjaftueshëm gjatë natës mund të jeni më të përgjumur pas ngrënies.
Kur jeni të qetë dhe të ngopur, trupi ka dëshirë të pushojë, veçanërisht nëse nuk keni fjetur mjaftueshëm një natë më parë.
Ekspertët rekomandojnë që të krijoni një regjim të rregullt të gjumit, të mbani stresin nën kontroll dhe të kryeni aktivitet fizik të rregullt.
Shmangni gjumin e drekës, nëse keni vështirësi të flini natën.
Aktiviteti fizik
Aktiviteti i rregullt fizik rrit nivelin e energjisë dhe ul lodhjen.
Aktiviteti në fjalë ju mban aktiv gjatë ditës dhe ju ndihmon të bëni një gjumë më të mirë natën.
Faktorë të tjerë
Me raste, lodhja që mund të ndjeni pas ngrënies mund të jetë shenjë e një sëmundjeje siç është diabeti, anemia, tiroidja e të tjerë.
Konsultohuni me një mjek nëse lodhja pas ngënies është e tepërt.
Por gjithsesi, nëse ndiheni paksa të lodhur pasi keni ngrënë, me siguri trupi po reagon kundër ndryshimeve biokimike të shkaktuara nga tretja.
Me fjalë të tjera, lodhja është krejt normale.