Pse janë kaq të tërbuar islamofobët në Kosovë?

Labinot Kunushevci

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një lëvizjeje sensacionale në Kosovë të njohur si Lëvizja e Deçanit” – Lëvizja për Braktisjen Vullnetare të Besimit Islam, që në fakt, kulturalisht nuk e përfaqëson këtë komunë fisnike dhe tolerante, por vetëm një grup të caktuar fanatik me qëllime politike. Pra, nuk mund të themi se është produkt i mentalitetit të këtij rajoni, por i një grupi që organizon takime dhe konvertime publike, që në thelb të doktrinës së tyre është deislamizimi i shoqërisë kosovare, drejt një rikristianizimi premtues”, si kthim në rrënjët e identitetit shqiptar, në fenë e të parëve.

     Kjo është një lëvizje histerike propagandistike. Fare nuk duhet polemizuar me njerëzit të cilët bëjnë ftesë publike për braktisjen e Islamit në Kosovë. Ata meritojnë të jenë të izoluar dhe të injoruar. Pra, të mos replikojmë me ta. Ata nuk përbëjnë elitë shoqërore intelektuale. Nuk është se kanë bërë ndonjë studim mbi përfitimet e braktisjes së fesë. Referencat i marrin nga disa demagogë dhe sharlatanë antifetarë. Andaj nuk meritojnë t’i faktorizojmë, duke i bërë protagonistë në media. Janë të pakënaqur me vetveten dhe shumë konfuzë. Kanë krizë identiteti dhe pasiguri në vetvete. Ata bëjnë zhurmë, shprehin injorancë të trashë dhe naivitet, synojnë një përmbysje në rendin dhe tolerancën ndërfetare, dinë të anatemojnë dhe të sulmojnë, të provokojnë dhe të luajnë me ndjeshmëritë fetare, të përhapin gjuhë të urrejtjes. Prova të mjaftueshme për ndjekje penale, por jo për t’i sharë e ofenduar.

     Në anën tjetër, gjejmë njerëz që fyejnë edhe inteligjencën e Zotit, kur si ateistë shtrojnë pyetjet e famshme idiote: “Nëse Zoti krijoi gjithçka, po Zotin kush e krijoi? A e krijoi ai vetveten?” Në fakt, edhe sikur ta gjenin “Krijuesin e Krijuesit”, do të vazhdonin me pyetje pafund: “Po Krijuesin e Krijuesit kush e krijoi?”, që në esencë tregon vetëm fantazinë e tyre idiote.

     Apo kur duan ta zbulojnë shkakun e mjerimit historik të gruas, fajin e gjejnë te fetë monoteiste duke i quajtur homocentriste, që i kanë dhunuar gratë për 2000 vjet. Kjo është panorama që na tregon përplot nuanca të zymta.

     Injorojnë dhunën e pushtimeve dhe kasaphaneve të huaja: kryqëzatat, masat çnjerëzore të inkuizicionit, holokaustin, masakrat e luftërave botërore, revolucionet e përgjakshme, luftërat rajonale dhe kolonizimet e fuqive të mëdha, për të cilat Islami nuk mund të merret në përgjegjësi, pasi kjo histori e trishtë më së miri shpjegon frazën se “Njeriu për njeriun është ujk” dhe se fajtori duhet kërkuar tek ideologjitë dhe jo te një fe, e cila për mision ka paqen dhe lumturinë njerëzore. Prandaj alternativa e monoteizmit është vetëm barbaria, hedonizmi dhe tragjedia. Alternativat e Islamit historikisht kanë qenë ideologjitë monstruoze, si: komunizmi, racizmi, marksizmi, fashizmi etj., të bazuara në disa teori agresive antinjerëzore, të cilat kanë relativizuar fajin e kriminelëve që nuk paguan kurrë faturën e krimeve.

     Zoti nuk ekziston për t’i shuar komplekset, fantazitë, paragjykimet, frustrimet dhe çarjet të cilat i kanë idiotët për prishjen e ekuilibrit mendor, shpirtëror dhe kulturor, përderisa duan mjegull në ditët me diell. 

     Me argumente shterpe e me pyetje dhe polemika konfuze të tipit: Një njeri që rritet dhe jeton i izoluar nga bota, nuk mund ta njohë dhe ta besojë Zotin, prandaj Zoti s’ekziston – ai është një produkt kulturor!”; apo: “Pse Zoti rri indiferent dhe nuk i mbron viktimat? Pse Zoti historikisht ka toleruar gjakderdhje, luftëra, terror e spastrime etnike dhe nuk ka ndërhyrë t’i ndalte ato?”, tregojnë peshën e mendimit të tyre irracional, që u shkojnë për shtati agjenturave që promovojnë ateizmin.

     Ateistët mendojnë se Zoti duhet të “zbulohet” përmes teleskopit, eksperimentit, ekuacionit, formulave, zbërthimeve, gjetjeve apo provave empirike. Me këtë qasje nuk do ta “zbulojnë” Zotin kurrë! Sepse Zoti nuk është gjetje, Zoti është besim. Zoti nuk është gjurmë fizike, Zoti është ndjenjë shpirtërore. Zoti nuk është hipotezë shkencore që konfirmohet apo hudhet poshtë.

     Këta që shtrojnë pyetje të tilla, nuk dinë të lexojnë heshtjen e Zotit “inferior” dhe rolin inteligjent të Zotit si “produkt kulturor”. Vërtet jam kureshtar të dëgjoj një ateist shkencëtar shqiptar, një ateist intelektual shqiptar, i cili përdor referenca shkencore mbi ateizmin! Por atë s’po e gjej askund! Ata që po mundohen t’i thyejnë “iluzionet e njerëzve për Zotin” janë një shtresë e frustruar e shoqërisë, që konfliktin me Zotin e shohin si zhvillim të shoqërisë.

     Në anën tjetër, mediat që mbijetojnë me sensacionalizëm, përmes llumit të moderatorëve, kohëve të fundit po sjellin një sensacion tjetër të ri – paraqitje të “ish-imamëve” e të “ish-hoxhallarëve”, të cilët pretendojnë se dikur kanë studiuar Islamin dhe i kanë shërbyer fesë, ndërsa tani janë kthyer në ateistë apo agnosticistë, pasi janë penduar për atë “punë primitive”. O Zot, konceptin e mjerimit intelektual më së miri e kuptoj kur i shoh këta heretikë në media!

     Autoritetet fetare nuk po arrijnë ta kuptojnë se kërcënimet që vijnë nga njerëz pa kredibilitet dhe pa autoritet, nuk meritojnë vëmendje, sepse islamofobët sharlatanë duan të faktorizohen duke sulmuar ndjenjat e besimtarëve paqësorë dhe duke bërë luftë speciale psikologjike. Vetëm nëse ka akuza pa fakte dhe shpifje të ulëta, përgjigjja më e mirë do të ishte një padi në gjykatë dhe një përndjekje penale deri në mjetin e fundit juridik. 

     Idiotët kur shohin se një gjykatë ka dënuar një hoxhë apo një besimtar musliman për një vepër të caktuar, e përshëndesin vendimin dhe institucionin, ndërsa kur shohin se një gjykatë e ka shpallur të pafajshëm një hoxhë apo një besimtar musliman për një vepër të caktuar, shfaqin mosbesimin e tyre dhe akuzojnë institucionet se po bashkëpunojnë me krimin.

     Pra, kur u pëlqen, janë me shtetin, kur nuk u pëlqen, janë kundër shtetit. Herën e parë, vendimit të shtetit i thonë aferim, herën e dytë, vendimit të shtetit i thonë krim. 

     Të pretendosh se e do dhe e përfaqëson një popull, se i shërben dhe e ndihmon një popull, e në anën tjetër ta luftosh identitetin e tij, fenë e tij, t’ia cenosh të drejtën themelore të besimit, është vërtet një kafshatë që s’kapërdihet. Ç’do me thënë gjithë këta liderë që nuk e duan fenë e popullit të vet?!

      Ata besojnë në dokrrën se sa më shumë që ta luftosh fenë e shoqërisë të cilën e përfaqëson dhe së cilës ia ke marrë votat dhe besimin, aq më “patriot”, aq më “nacionalist” dhe aq më “evropian” je. Ky lloj i “patriotizmit”, i “nacionalizmit” dhe i “evropianizimit” është konstrukt kulturor që buron nga antipatia e tyre socio-patologjike që kanë kundër fesë, vështirë i shërueshëm. Sipas tyre, Islami dhe muslimanët janë të huaj për Evropën! Ne qenkemi “Tjetri i Evropës”. Por e vërteta është se pikërisht islamofobët nuk mund të jenë nacionalistë asnjëherë. Ata i takojnë një pseudo-nacionalizmi që rrënjët i ka në ideologjinë komuniste.

     Janë një hiç! Janë një mbeturinë e ish-sistemit! Janë shqelmat e fundit të modelit neokomunist!

     Pse kemi kaq shumë intelektualë, shkrimtarë, mësimdhënës, profesorë universitarë, akademikë, elita kulturore, që nuk e kanë guximin ta hapin gojën për ta thënë një fjalë të vetme për islamofobinë, për të cilën, OKB-ja, përmes një rezolute, datën 15 mars e shpalli si Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë?

     Shkollimi dhe punësimi në institucione publike i vajzave dhe i grave me shami është një nga temat më të keqpërdorura dhe më të instrumentalizuara, që ka ushqyer rivalitetin ekstrem ndërmjet komunitetit fetar dhe qarqeve sekulare. Kjo ka treguar naivitet dhe papjekuri. Një qasje e gabuar e shtetit, e predikuesve fetarë, e partive me platformë pro-islame, e mediave dhe e shoqërisë civile, thelbësisht përjashtuese, diskriminuese dhe cenuese ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut. Kjo u ka krijuar material demagogëve fetarë që të prodhonin histerizëm publik, në dekadën e dytë të këtij mileniumi, përmes lëvizjeve politike fetare, të cilët, për fatin e mirë dështuan dhe mbetën në margjina, sepse kishin një përfaqësim jashtëzakonisht të dobët. Me shpresë se lëvizjet e reja do të ndërtojnë një vizion më serioz.

     Ky komunitet i diskriminuar, edhe kur është përfaqësuar në parlament nga deputetë besimtarë, të cilët kanë premtuar ndryshimin e kësaj situate, nuk ka arritur ta bëjë një gjë të tillë. Deputetët nuk kanë arritur, përveç zhurmës e debatit, t’i realizonin kërkesat dhe premtimet elektorale ndaj besimtarëve. Sepse ata nuk kishin vendosmëri, as vizion, as parime të pakompromis. Nuk donin t’i rrezikonin privilegjet. Nuk e kishin forcën morale dhe as politike. Vitet që po vijnë janë më premtuese në bazë në nuancave që vërejmë në hirozontet dhe perspektivat e reja premtuese politike.

     Politikanët islamofobë votohen vetëm nga muslimanët idiotë. Madje magjepsen pas tyre. Mendjelehtësia e disa besimtarëve muslimanë u ka krijuar fuqi figurave publike që ta shndërrojnë islamofobinë në retorikë dominuese në komunikimin publik, me një rrezik për t’u bërë projekt nacional. Madje besimtarët naivë, mediave islamofobe shpeshherë dinë t’ua rritin audiencën, klikimet, sensacionet, reputacionin dhe t’u japin fuqi e jehonë në opinionin publik. Ironia më e madhe qëndron kur eksponentët e vërtetë të islamofobisë thonë se nuk ka Islamofobi në Kosovë, por ka shqiptarofobi e cila vjen nga diskurset fetare islame.

     Vështruar sociologjikisht, sipas sociologut të njohur të fesë, Peter L. Berger, feja është element konsumi në supermarketin e shoqërisë pluraliste, që nënkupton se njerëzit duhet të gëzojnë të drejtën që të shërbehen lirshëm nga ky “supermarket” dhe të zgjedhin atë që duan. 

     Sekularisht, feja nuk ndërhyn në jetën institucionale, por as shteti nuk ndërhyn në çështjet fetare. Pra, qëndrojnë neutralisht karshi njëra-tjetrës, përtej cenimit dhe ndërhyrjes. Teorikisht, feja nuk e cenon shtetin, as shteti nuk e cenon fenë, ndërsa praktikisht, tek ne kërkohet vetëm respektimi i së parës: feja të mos e cenojë shtetin; ndërsa te e dyta: shteti i jep të drejtë vetes të ndërhyjë në autonominë fetare.

     Por ndryshe mendonte filozofi kanadez Charles Taylor, fitues i çmimit prej një milion dollarësh “Berggruen Prize”. Ai thoshte se sekularizmi nuk ka të bëjë me raportin e drejtpërdrejtë të shtetit me një fe, por është një reagim i shtetit demokratik ndaj diversitetit. 

     Ndërsa sociologu i njohur i fesë, José Casanova, ka argumentuar se feja sot në asnjë mënyrë nuk po e humb rëndësinë e saj në shoqërinë moderne dhe ka kundërshtuar idenë se sekularizmi është një parakusht për shoqëritë e hapura dhe tolerante. 

     Por kur jemi tek Peter L. Berger, i cili admironte dy emra të njohur, Rumin dhe Al-Ghazaliun, kemi qëndrimin e njohur se ringjallja e Islamit ishte një arsye kryesore për refuzimin e tij të njohur të “tezës së sekularizmit”, e argumentuar në librin “The Desecularization of the World: Resurgent Religion and World Politics”.

     Në periudhën 2015-2017 unë kam intervistuar emrat më të mëdhenj të sociologjisë botërore, nga ShBA-ja, Meksika, India, Singapori, Britania e Madhe, Turqia, Kroacia etj., si: Anthony Giddens, George Ritzer, Patricia Hill Collins, Michael D. Kennedy, Liah Greenfeld, Hayriye Erbaş, Jasminka Lažnjak, Raewyn Connell, Chua Beng Huat, John Holloway, Margaret Abraham dhe Thomas J. Burns, ku disa prej këtyre intervistave janë botuar në 17 gjuhë, në revistën prestigjioze “Global Dialogue”. Në asnjë intervistë të tyre nuk kam vërejtur koncepte të deformuara dhe paragjykime mbi identitetin, fenë dhe sekularizmin, siç interpretohet te ne.

     Askush nuk mund ta kontestojë apo ta vlerësojë besimin e njëri-tjetrit, sepse kjo është çështje individuale, raport ekskluziv i njeriut me Zotin; ku askush nuk mund dhe nuk duhet të ndërhyjë, të ndërmjetësojë apo të cenojë. Nuk ka “barometër” për matjen e besimit. Vajzat dhe gratë duhet të lihen të lira nëse duan të mbulohen me shami apo jo, derisa ato i respektojnë përgjegjësitë publike dhe shteti duhet t’ua garantojë këtë liri.

     E drejta e manifestimit publik të fesë është e drejtë pa kushte, nuk është privilegj. Ajo i takon secilit besimtar. Nuk është se qytetari e fiton dhuratë një të drejtë të tillë nga ndonjë autoritet. Të drejtat vetëm garantohen nga shteti, ato nuk janë dhurata apo privilegje. Me lindjen e tij, njeriu e fiton të drejtën e (mos)besimit.

     Pra, nuk mund të kufizohen, penalizohen apo diskriminohen vajzat dhe gratë, kur duan të bartin shami në një shoqëri. As nuk mund të detyrohen apo të degradohen vajzat dhe gratë, kur nuk duan të bartin shami në një shoqëri. Të gjithë i meritojnë shanset e barabarta. 

     Asnjëra nuk ka përparësi para tjetrës, në rrethana ku funksionon një demokraci llogaridhënëse. Janë aftësitë dhe përgatitjet profesionale ato kushte rreth së cilave zhvillohet konkurrenca në shoqëri. Janë vlerat dhe kontributet e tyre rreth së cilave vlerësohen në shoqëri. Është brendësia e kokës (inteligjenca mendore) ajo që ka prioritet para asaj se çfarë mban mbi kokë (shami, kapelë apo çfarëdo). Vetëm mendjemprehtët arrijnë ta tejkalojnë këtë koncept primitiv, që njeriun e vlerëson në bazë të dukjes së jashtme dhe jo në bazë të përmbajtjes. Identiteti i gruas duhet të jetë i pavarur nga motivet e burrave.

     Po të vlente ky standard i diskriminimit, sot Sarah Al Shaeri nuk do të hynte në historinë olimpike si vajza e parë muslimane e mbuluar në Evropë që fitoi një medalje olimpike në Taekwondo në Lojërat Olimpike Paris 2024.

     Kjo qasje ka prodhuar ekstremin e Islamofobisë, paragjykimeve fetare, intolerancës agresive ndaj ndjenjave dhe bindjeve të muslimanëve të pafajshëm. Rivaliteti i ashpër ndërmjet këtyre dy ekstremeve, fetare dhe antifetare, islamokratëve që formuan lëvizje dhe parti politike dhe Islamofobëve që e gjykojnë Islamin si rrezikun dhe fajtorin kryesor të regresit shoqëror, me ndihmën e elitave politike, intelektuale dhe mediave, ka prodhuar ngecje në integrimin dhe emancipimin e tyre. Mbi të gjitha, kjo i ka dëmtuar më së shumti liritë e besimtarëve paqësorë, sepse ka lëshuar re të zeza në një horizont të kthjellët dhe të pastër, bubullimë e vetëtimë në një ditë me rreze dielli.

     Por nuk është e çuditshme një sjellje e tillë e islamofobëve të cilët e kanë shndërruar Islamofobinë si diçka të zakonshme, pasi nuk kanë aftësi dhe potencial të merren me tema më të rëndësishme, të diskutojnë për strategji, për të ardhmen, për prioritetet, për sigurinë, për ekonominë, për integrimin, për transformimin e gjeneratave të reja, për zbulimin dhe mbështetjen e talenteve. Ata dinë të flasin vetëm për fenë dhe mendojnë se feja është pengesë në çdo proces shoqëror.

     Kanë një shkathtësi djallëzore të keqinterpretimit të ajeteve kuranore dhe të haditheve profetike, ku nganjëherë edhe citimin nuk e bëjnë korrekt, ndërsa interpretimin e bëjnë në mënyrë shumë sipërfaqësore, literale dhe dogmatike, duke i shkëputur nga konteksti i rrethanave kulturore dhe i koherencës së zbritjes/shpalljes. Sepse janë injorantë të rryer! Sepse janë rebelë të rryer! 

     Injoranca është “mitra” ku është injektuar dhe rritur fanatizmi islamofob dhe ky lloj fanatizmi ka sterilizuar mendjet e njerëzve, në mënyrë që ata të mos mund të riprodhojnë ide se si të dilet nga ky fanatizëm. Injoranca e tyre nuk është shumë e ndryshme nga injoranca e gjashtë shekujve të parë të Mileniumit të Parë, që njihen si shekujt e errësirës.

     Pra, ata mësojnë shumë ajete dhe hadithe, jo me motivin e një studiuesi serioz dhe kritik, por me motivin e një demagogu që grumbullon “argumente” për ta treguar “brishtësinë dhe jokoherencën e fesë”, për t’i larguar njerëzit sa më shumë nga vetëdija fetare, që ata të mbeten pa këtë identitet, të mbeten të mangët, me bindje materialiste, si qenie konsumuese që të manipulohen më lehtë në instrumentet e psikologjisë së turmave.

     Ata marrin apo krijojnë besëtytni, legjenda dhe mite të ndryshme, shpikin risi – “bidate”, duke i paraqitur si elemente fetare, për ta degraduar pastërtinë dhe cilësinë e Islamit, për t’i shtyrë njerëzit të besojnë se feja nuk ka potencial ta emancipojë njeriun, përkundrazi, i bën ata të besojnë në idiotësi – që në të vërtetë janë maskarallëqe dhe s’kanë asgjë të përbashkët me mësimet hyjnore të Mësuesit të Njerëzimit.

     Abuzojnë me luftën, me paqen, me dëshmorët dhe luftëtarët, me sakrificën dhe me rezistencën, duke u përpjekur për të ngritur paradigmën se identiteti fetar islam nuk e ka penguar Serbinë dhe ajo nuk ka pasur urrejtje fetare islame, përkundrazi, ka investuar në “islamizimin” e popullit shqiptar, për të krijuar arsye për ndërhyrje shtetërore si “spastrim” i një populli fundamentalist dhe radikal, antievropian! Kështu ata mohojnë projektin e Serbisë për shfarosjen e muslimanëve të Ballkanit dhe gjithë ato krime që janë kryer kundër muslimanëve në Ballkan. Këto qëndrime kaq antihistorike i gjejmë vetëm në gojët e ndyta të islamofobëve.

     Siç thoshte historiani i shquar, Noel Malcolm, në ligjëratën e tij të mbajtur më 2018, në Kishën e All Souls College të Universitetit të Oxfordit, se Millosheviçi dhe ndjekësit e tij pëlqenin të pretendonin se po mbronin qytetërimin e krishterë nga kërcënimi i ekstremizmit islamik. E vërteta ishte e kundërta. Vetë aktet e tyre të agresionit u kryen nga ata, të paktën me pretendime, si ekstremistë të krishterë – të mbështetur hapur, në të vërtetë, nga Patriarku Pavle i Kishës Ortodokse Serbe. 

     Në këtë mënyrë ata kanë krijuar edhe narracionin se mbrojtja e identitetit fetar nuk ka qenë fare motiv i asnjë luftëtari, sikur krejt dëshmorët na paskan qenë të zhveshur nga çdo element fetar dhe lufta e Serbisë kundër Islamit, sidomos përmes shkatërrimit të xhamive, përveç të tjerash, kundër identitetit, kulturës, trashëgimisë dhe historisë shqiptare, kundër resurseve dhe tokave shqiptare, kundër popullsisë dhe përpjekjeve për pavarësi, nuk paska qenë preokupim as shqetësim i asnjë patrioti. Vetëm një trushpëlarë mund ta bindin me këto narracione.

     Në emër të ruajtjes së rinisë nga “shpëlarja e trurit”, ata bëjnë shpëlarje të re antifetare të trurit. Kjo e dyta është më e rrezikshme. Zaten edhe ia arrijnë kur ballafaqohen me besimtarë të dobët, me muslimanë inferiorë, me muslimanë që nuk kanë mendim kritik, që nuk lexojnë dhe nuk kanë zhvilluar kurrfarë kompetence. Islamofobët vetëm intelektualëve muslimanë u frikësohen, sepse me ta debatin e kanë të humbur. I ftoj në debat dhe replikë të këtij shkrimi, po patën guxim. Por pastaj për një “argument” të tyre, unë i paraqes njëqind.

     Kur takojnë muslimanët analfabetë funksionalë, i bëjnë të mos guxojnë – të ndihen inferiorë kur ta përmendin Zotin, të deklarohen besimtarë apo ta shprehin në ndonjë formë identitetin fetar. Në vend se një besimtar i fortë ta bëjë një Islamofob, i cili gjendet në errësirë, të ndihet inferior, ndodh e kundërta: Islamofobi e bën besimtarin, i cili gjendet në dritë, të ndihet inferior! Ata që gjenden në dritë, po ndihen më të frikësuar se ata që gjenden në errësirë! Ata që gjenden në luftë, po ndihen më të sigurt se ata që gjenden në paqe! 

     Ju kujtohet historia e marshimit të ushtrisë së profetit Sulejman dhe reagimit të “udhëheqësit të buburrecëve” që shpejt e shpejt i mobilizoi bubërrecat që të strehohen dhe të ikin nga rreziku i ushtrisë? E po, kështu muslimanët sot janë shndërruar në “buburrecë” që struken kur marshojnë Islamofobët, në vend se të jetë e kundërta, kur muslimanët marshojnë me projekte serioze, me autoritete të fuqishme shkencore e institucionale, me vlera të shëndosha, Islamofobët të ulin kokën dhe të ikin në “vrimat e buburrecëve”!

      Si është i mundur ky paradoks? Në shoqërinë atipike shqiptare gjithçka është e mundur.

     Pse ata nuk mjaftohen me qëndrimet dhe bindjet e tyre laike? Pse i pengon një besimtar kur përzgjedh të gjykojë me standarde fetare në çështje të tij personale? Kjo është absolutisht liri e zgjedhjes.

     Kur një Islamofob tenton të polemizojë me mua për fenë, zakonisht pyetjen e parë që ia bëj është kjo: “Cilat libra fetarë për shkencën dhe cilat libra shkencorë për fenë i keni lexuar?” Nuk i pyes për librat të cilët janë vetëm fetarë apo për librat të cilët janë vetëm shkencorë. Zakonisht nuk marr përgjigjen e duhur dhe, në mungesë të saj, tërhiqem nga diskutimet me ta, i injoroj pyetjet e tyre dhe i lejoj të hedhin valle në mbretërinë e tyre të idiotëve. Po u fute me ta në diskutim, ata provojnë të të tërheqin në nivelin e tyre dhe të të mundin me përvojë, me arrogancë, me mllef. Derisa ata nuk janë të gatshëm të debatojnë me koncepte shkencore, ju lutem injorojini! Ndryshe, betejën e keni të vështirë ta fitoni. 

     Atyre u pengojnë vlerat më fundamentale, jo vetëm elementet radikale, se për këto vazhdoj të jem sociologu më kritik. Fjala vjen, i pengon ezani, jo si tingull, por si thirrje, si dimension hyjnor. Dhe e përbuzin shenjtërinë e tij. Kuptohet, ezani nuk është i shenjtë për ta, as nuk duhet të jetë domosdoshmërisht. Por as respektin minimal si tolerancë ndërfetare, as si respekt ndaj komunitetit, nuk dinë ta shprehin. Një gjë është e sigurt: luftën me ezanin e kanë humbur edhe sistemet më autoritare dhe totalitare të historisë. 

     Ngjashëm tallen me xhamitë, me profetët, me konceptin e vëllazërisë muslimane, me solidaritetin e besimtarëve, me ritualin e haxhit, me ritualin e agjërimit, me ndalesat imperative – mëkatet, me fenomenin e vdekjes, me botën tjetër, me ditën e gjykimit, me shpërblimin në parajsë dhe dënimin në ferr. Vërtet janë të çoroditur. Kurseni sytë nga leximi i fjalëve të tyre, kurseni veshët nga dëgjimi i fjalëve të tyre, nëse dëshironi shëndet mendor. Nëse nuk keni aftësi të debatoni me ta, ikni nga mjediset ku ata tallen me fenë, sepse janë toksike e antinjerëzore, para se të jenë antifetare.

     Jo rrallëherë, kur në mediat elektronike shfaqet një lajm për ndërtimin e një xhamie të re, Islamofobët menjëherë mobilizohen dhe shfaqin gjuhë jotolerante dhe të urrejtjes, deri në etiketime se xhamia është “fabrikë e terroristëve”, ndërsa ata që falen janë aziatikë dhe lindorë, shpellarë dhe mesjetarë, arabë e turq, “muxhahajdinë” e “talebanca” – duke shtrembëruar kështu konceptin e “Xhihadit”, konceptin e “Sheriatit”, dhe se më mirë është të ndërtohen fabrika e shkolla sesa xhamia. 

     Pra, injorojnë faktin se koncepti i xhihadit në të vërtetë ka të bëjë me çlirimin e njeriut nga nënshtrimi, tirania dhe dehumanizimi që vijnë nga sistemet dhe ideologjitë që mohojnë dhe cenojnë drejtësinë, vetëvendosjen dhe moralin e një shoqërie.

     Patriotizmi i tyre i rrejshëm ekonomik dhe arsimor del në sipërfaqe vetëm kur nisin ndërtimet e xhamive të reja për nevojat e besimtarëve, ndërsa nuk reagojnë për format e tjera të degradimit real urban. Dhe gjejnë guximin të akuzojnë xhamitë se janë financuar nga Serbia, pa qenë të vetëdijshëm se në betejën juridike për shpifje dhe manipulime, do të jenë të humbur.

     Aq shumë ka gjuhë të urrejtjes, kërcënime, nxitje të mosdurimit fetar, nxitje të konflikteve, jotolerancë, thirrje për zhdukjen e muslimanëve dhe “pastrimin e tokave shqiptare nga mbetjet osmane e arabe”, nga ana e Islamofobëve, saqë po të kishte funksionuar sistemi i drejtësisë, sot me qindra prej tyre do të ishin në procedura gjyqësore pas ngritjes së aktakuzave dhe shumë sosh duke vuajtur dënime kapitale. 

     Islamofobinë e cila manifestohet me gjuhë monstruoze të urrejtjes mund ta reduktojë dhe disiplinojë vetëm një prokurori e përgjegjshme dhe e guximshme me një legjislacion të fuqishëm, e cila beson në vlerën themelore të demokracisë – ruajtjen e dinjitetit dhe të integritetit njerëzor të secilit person, pavarësisht besimit. Ndërsa edukimi kulturor i besimtarëve muslimanë do të kontribuonte në çmontimin e Islamofobisë.

     Do të thotë, aq është tërbuese dhe metastazuese gjuha e islamofobëve, saqë nga urrejtja kundër fesë kalojnë në urrejtje patologjike kundër individëve fetarë, kundër institucioneve fetare, kundër simbolikave fetare, kundër fundamenteve fetare, kundër autoriteteve fetare, me një “reaksion alergjik” sa herë përmendet titulli “hoxhë”. Edhe tekstet shkollore në mungesë të rishikimit prodhojnë elemente keqkuptimi dhe keqinformimi që çojnë në Islamofobi. Ndërsa për media mos të flasim, të cilat kur tejkalojnë përgjegjësinë e tyre, ofrojnë materiale që fuqizojnë stereotipet fetare. Për kurreshtjen tuaj, ky opinion sociologjik që po lexoni tani, është refuzuar të botohet në 17 media të shkruara e të njohura shqiptare. Arsyeja është e njohur: sepse ato nuk duan t’i nxjerrin njerëzit nga moçali. Jeni të nderuar që tani po e lexoni në Observer.al. Vrimat e errëta që fshehin maskarallëqe nuk e duan depërtimin e rrezeve të dritës.

     Po iu referove fesë, qoftë edhe tërthorazi, qoftë edhe për parimet më humane, siç është thirrja e fuqishme kuranore që vrasjen e njeriut e cilëson si vrasje të tërë njerëzimit dhe deklaron se këtë e ka thënë Zoti dhe këtë na e mëson feja islame, “qelizat kancerogjene të vetëdijes islamofobe” fillojnë të shumëzohen në mënyrë marramendëse.

     Mendjelehtësia e tyre është aq e thellë, saqë nuk dinë ta bëjnë dallimin ndërmjet gjuhës fetare dhe gjuhës nacionale, prandaj u pengon dhe tërbohen nga përshëndetja e famshme dhe fisnike islame, u pengon dhe tërbohen nga gjuha e ezanit, nga gjuha e namazit, nga gjuha e Kuranit. As mos t’ua merr mendja që ata do t’i respektonin këto po të shndërroheshin në shqip.

     Një nga mënyrat më të shpejta për të ardhur deri te fama dhe lavdia famëkeqe është kundërshtimi i fesë. Duke sulmuar fundamentet dhe vlerat e fesë, duke provokuar ndjeshmëritë fetare të besimtarëve, duke njollosur dhe sulmuar institucionet apo autoritetet fetare, të cilat kanë ruajtur integritet, duke akuzuar për të hapur frone të reja, ata po bëhen protagonistë në media dhe po e arrijnë njëfarë popullariteti famëkeq. Kjo ndoshta i bën “të lumtur”! Apo kjo ndoshta i shërben ndonjë agjende! 

     E po kur nuk kanë asnjë projekt premtues që prodhon progres në shoqëri, kur konsumohen manipulimet dhe iluzionet e tyre, kur u mungojnë platformat serioze, ata merren gjithë ditën e gjithë natën vetëm me fenë.

     Ata qëndrojnë natën zgjuar për të nxjerrë pyetje për “një milion dollarëshe”, të tipit: “Pse gjithë këto xhami janë ndërtuar? Pse nuk po ndërtoni shkolla, çerdhe e institucione kulturore?” Një shtet që ende nuk ka ligj për fe, një shtet që nuk investon në xhamitë e komunitetit, ndërsa ata ende po pyesin për shkolla e çerdhe, duke mos e ditur se shkollat dhe çerdhet publike janë ndërtuar edhe me taksat dhe kontributet e besimtarëve! Kush mund ta mohojë se besimtarët nuk janë kontribuues në shërbimet publike? Në fund të fundit, zhvillimi i shoqërisë nuk varet nga numri në rritje i xhamive apo i shkollave e i çerdheve, por nga ngritja e cilësisë brenda tyre dhe nga reformimi i brendshëm i sistemit.

     Islamofobët vërtet nganjëherë qëllojnë të jenë me përvoja të lavdishme, me kontribute në luftën e fundit, qëllojnë të jenë profesionistë dhe novatorë të suksesshëm, biznesmenë e familjarë të suksesshëm, njerëz humanë dhe paqësorë në situata të caktuara, por qëndrimet e tyre islamofobe dhe urrejtja fetare, nga intelekti i tyre i dobët, ua përmbytin gjithë ato të mira publike dhe ua dëmton seriozisht reputacionin në shoqëri.

      Sot, kur një njeri i suksesshëm, qytetar i përgjegjshëm, me virtyte të larta, vendos të manifestojë publikisht besimin e tij dhe të praktikojë Islamin, shoqëria dhe rrethi idiot fillon ta zhvlerësojë. Ngjashëm veprojnë familjet idiote laike, kur një anëtar i tyre vendos të bëhet fetar, ato e injorojnë, e përbuzin dhe e leçitin, deri në demonizim.

     Islami sot vuan për mungesën e modelit të muslimanit të Andaluzisë tetëqindvjeçare. Prandaj, që nga rënia e atij qytetërimi, agonia dhe dekadenca e muslimanëve ka krijuar terren të përshtatshëm për islamofobët. 

     Përparësia bashkëkohore është se, për dallim nga dikur, ku në xhamitë shqiptare dominonte mosha e shtyrë, sot dominon mosha e re. Struktura e besimtarëve është shumë heterogjene dhe vigjilente. Ata vijnë nga kualifikime, profesione, statuse, prejardhje dhe orientime të ndryshme dhe kanë filluar ta ngjallin mendimin kritik, duke tkurrur fanatizmin ndaj hoxhallarëve, që përbën rrezik. Sepse edhe vetë hoxha duhet ta dijë se është vetëm një autoritet fetar i dijes dhe nuk duhet të trajtohet si një kult. Pra, besimtarët sot i kemi më kërkues, më entuziastë, më të pasionuar, më të lexuar, më të informuar, më komplementarë. Nuk janë thjesht një turmë idiotësh, të cilët besojnë verbërisht, siç pretendon “inteligjencia e islamofobëve të tërbuar” me qasjen e tyre të patentuar antidemokratike.

     Por duket se për fenë po na flasin më së shumti ata që po mundohen peshkut t’ia mësojnë notin. Ata që s’e kanë vizituar kurrë xhaminë, ata që s’e dinë nga është Kibla, ata që s’i kanë lexuar dhe as analizuar drejt burimet autentike të fesë: Kuranin dhe Sunetin.

     Islamofobët nuk dinë gjë për shpalljen hyjnore; nuk dinë gjë për mrekullitë shkencore dhe as për mrekullitë gjuhësore në Kuran; nuk dinë gjë për konvertimin në Islam të qindra e mijëra shkencëtarëve me renome botërore; nuk dinë gjë për ligjet e Zotit, të cilat e mbajnë jetën në ekuilibër; nuk dinë gjë për kushtet e besimit; nuk dinë gjë për pasojat e mosbesimit; nuk dinë gjë për biografinë komplekse të profetit Muhamed; nuk dinë gjë për sistemin e vlerave dhe paradigmat sociale, kulturore, familjare, ushtarake e edukative, që i ndërtoi profeti; nuk dinë gjë për shfarosjen e dukurive negative që bëri profeti; nuk dinë gjë për shenjtërinë, vlerën dhe pozicionin e rëndësishëm që ia ka dhënë Islami martesës dhe familjes në shoqëri; nuk dinë gjë për funksionet komplekse humane e sociale të Islamit duke e reduktuar vetëm në funksion politik; nuk dinë gjë se si arriti profeti ta përmbyste parimin “njeriu për njeriun është ujk”, drejt parimit të ri “njeriu për njeriun është njeri”; nuk dinë gjë se si Islami arriti ta çlirojë njeriun nga eksploatimi i egër, duke i dhënë lirinë që i mungonte; nuk dinë gjë për transformimin e thellë shoqëror dhe emancipimin e lartë që arriti Profeti te komuniteti i cili i besonte; nuk dinë gjë për disiplinën që instaloi Profeti në secilën sferë, përgjegjësi apo raport shoqëror; nuk dinë gjë për ekuilibrin që vendosi profeti ndërmjet materiales dhe shpirtërores, ndërmjet individit dhe komunitetit.

     Nuk kanë njohuri aksiomatike mbi fenë, as njohuri ontologjike mbi Krijuesin. E injorojnë aftësinë themelore që u nevojitet për ta njohur dhe pranuar Zotin si Qenie Vetekzistuese. As nuk duan ta shohin një lidhje ndërmjet ligjeve të natyrës dhe Mendjes Inteligjente, siç e shihte shkencëtari Albert Einstein. Ata s’marrin vesh gjë as nga sociologjia e fesë. Më duket se ata nuk e njohin as vetveten!

     A e dini ku qëndron tragjikomedia këtu? Ky “arsenal sulmesh” po na vjen nga ata që vijnë prej prindërve dhe familjeve muslimane. Ah sikur t’i “trazonim nga varret” paraardhësit e tyre e t’i njoftonim se fëmijët, nipërit dhe mbesat e tyre, po e luftojnë besimin islam të njerëzve dhe po krenohen publikisht për këtë “arritje”!

     Si mundet muslimani të ketë frikë nga vetvetja, të ketë frikë nga identiteti islam? A mos ndoshta përkatësia muslimane është vetëm deklaratë për qëllime demografike, ndërsa Islamofobia, kulturë për qëllime politike?

     Ata po mundohen të na mbajnë leksion se si ta duam Zotin, pa fe! Ata po mundohen të na bindin se fetë janë “pjellë njerëzore”! Ata po mundohen të na bindin se fetë janë “burimi i çdo të keqeje”! Ata po mundohen të na bindin se të gjitha xhamitë në Kosovë janë “xhami politike”! Ata po mundohen të na bindin se të gjitha ligjëratat fetare janë “thirrje për dhunë” dhe “thirrje për përmbysje të rendit”! Ata po mundohen të na bindin se një shqiptar i mirë nuk mund të jetë edhe një musliman i mirë! Ata po mundohen të na bindin se braktisja e feve, veçmas Islamit, është “çlirim shpirtëror dhe kulturor”! 

     Jo, jo! S’po na bindin! Flini të qetë!  

     A mund ta merrni me mend çfarë thonë disa priftërinj radikalë? Muslimanët shqiptarë i quajnë tradhtarë, sepse sipas tyre, paskan “tradhtuar fenë e të parëve”! Çfarë “tradhtie” na qenka kjo? Dhe në emrin e nacionalizmit shqiptar, ftojnë shqiptarët të deislamizohen, drejt në rikristianizimi të ri!

     Duket se ka ardhur koha që të pastrohet lumi nga mbeturinat. Moçalet kanë fuqi të tërheqjes. Çdo identiteti i vjen koha kur pastrohet nga llumi dhe kthehet në kristalizimin e vet. Prandaj mediat na bombardojnë me lajmet se “kaq persona u konvertuan në katolikë sot”!

     Nganjëherë më të rrezikshëm se islamofobët e përbetuar, të cilët hapur deklarojnë qëndrime antifetare, janë personat të cilët pretendojnë se kanë kualifikime fetare apo se kanë studiuar dhe analizuar fenë, pseudohoxhallarë, që për të fituar një reputacion fiktiv dhe një famë lavdikeqe, e për të fituar simpatinë e islamofobëve, të cilët luftojnë për “reforma fetare” apo për privilegje në institucione, shtrembërojnë fundamentet e fesë, duke u përpjekur për të bërë kompromis me elementet e pakontestueshme të Islamit, të cilat njihen botërisht që 14 shekuj dhe për të cilat ka konsensuse të dijetarëve eminentë. Këta janë llumi i pseudohoxhallarëve, që fatkeqësisht kanë një masë të vogël që u beson. Këta janë deformuesit dhe përçarësit e shoqërisë.

     Unë u sugjeroj islamofobëve të lexojnë dhe të familjarizohen pak me konceptet e studiuesve të fesë, sociologëve të cilët fenë e shohin në funksione pozitive të qenësishme të kohezionit shoqëror dhe të mirëqenies njerëzore, si: Max Weber, Jürgen Habermas, José Casanova, Thomas Burns, Peter L. Berger etj. Sepse asnjë sociolog serioz në botë nuk e sheh fenë si faktorin kryesor të regresit në shoqëri dhe të papërshtatshme me (post)modernitetin. 

     Natyrisht, nëse i lexoni ateistët, nihilistët dhe filozofët materialistë, apo edhe ata që sot na maskohen si “mendimtarë liberalë e progresivë” por që e kanë obsesion kronik Islamin, të cilët krijuan sistemet e tyre të mendimit, nënprodukt i të cilave ishte ateizmi, agnosticizmi apo format e tjera mohuese ose rebeluese, si: Karl Marx e Friedrich Nietzsche, Arthur Schopenhauer e Ludwig Feuerbach, Martin Heidegger e Albert Camus, Salman Rushdie e Robert B. Spencer, Richard Dawkins e Jasques Derrida, ju do të irritoheni nga roli i fesë dhe nga rëndësia e besimit në shoqëri. Ju do të dëgjoni vetëm termet “Islami Fundamentalist”, “Islami Radikal”, “Islami Ekstremist”, “Islami Terrorist”, “Islami Supermacist”, “Islami Politik”, “Islami Fashist”, “Islami Përjashtues”, “Islami Aziatik” etj.

     Kush dëshiron t’i njohë fetë monoteiste në fushën e krahasimit, gjithsesi duhet t’i dëgjojë e lexojë debatet e dy njerëzve jashtëzakonisht kompetentë të kësaj fushe: Ahmed Deedat dhe Zakir Naik.

     Në vend se ta lexoni librin “The Truth About Muhammad: Founder of the World’s Most Intolerant Religion”, nga islamofobi i njohur amerikan Robert Spencer, lexojeni më mirë librin “Muhammad: A Prophet for Our Time”, nga autorja britanike Karen Armstrong. 

     Në vend se ta lexoni librin “The God Delusion”, nga evolucionisti ateist britanik Richard Dawkins, lexojeni më mirë librin “There Is a God: How the World’s Most Notorious Atheist Changed His Mind”, nga autori britanik, profesori i filozofisë, i cili më shumë se gjysmëshekulli ka qenë mbështetësi kryesor i ateizmit, i kthyer së fundmi në besimtar, Antony Flew.

     Në vend se ta lexoni librin “Clash of Civilizations”, nga autori racist dhe etnocentrik Samuel P. Huntington, apo librin The End of History and the Last Man, nga Francis Fukuyama, lexojeni më mirë librin “Orientalism”, nga Edward Said.

     Pra, keni kujdes: mos lexoni vetëm libra që shfytyrojnë të vërtetën e Islamit apo të besimit në Zot, të autorëve që janë mishërim i Islamofobisë moderne. Lexoni edhe kritikat e tyre. Ndryshe do të lajthiteni nga e vërteta dhe objektiviteti, do të rrezikoheni nga shpëlarja e trurit.

     Islamofobët lehtë mund t’i definojmë si urrejtës patologjikë dhe provokues të konflikteve. Ata me mendjelehtësinë e tyre në gjykim, me botëkuptimet e tyre plot stereotipe, të cilat i dëgjojnë në rrugë dhe i bartin në komunikime zyrtare dhe diskurse publike, duke i paraqitur si argumente, me karakterin e tyre johuman, me sjelljet e tyre agresive e intolerante, me qasjen e tyre përjashtuese dhe provokuese, edhe djallit i japin mësim.

     Islamofobët paragjykimet mesjetare i riprodhojnë në diskursin modern dhe i paraqesin si argumente dhe paradigma me të cilat synojnë krijimin e një vetëdije dhe opinioni refuzues të Islamit duke e shpallur atë si një fe rajonale dhe jo universale; si një fe divergjente në sistemin e vlerave dhe jo koherente; si një fe primitive dhe jo qytetëruese; si një fe robëruese dhe izoluese; si një fe jo e hapur, e cila nuk respekton parimin e tolerancës, të mirëkuptimit, të debatit e të pluralizmit; si një fe e cila kundërshton avancimin shkencor dhe referimin në të gjeturat shkencore, duke parapëlqyer kështu qasje dogmatike dhe joracionale mbi organizimin, funksionimin dhe shpjegimin e jetës – despotizëm ideologjik; si një fe që ka një profet të dhunshëm, pedofil, imponues dhe pa integritet si Muhamedi; si një fe, besimtarët e së cilës nuk arrijnë të përshtaten me jetën moderne.

     Madje përdorin aktet terroriste që ndodhin në botë për t’i dhënë Islamit karakter të dhunshëm dhe për t’i etiketuar muslimanët si ekstremistë të dhunshëm. Si arrijnë ta shtrembërojnë gjykimin tonë për Islamin? Thjesht: duke i marrë ekstremet si norma. Kjo shpie në shfytyrim. Është si të gjykojmë cilësinë e jetës në Kosovë në bazë të numrit të krimeve dhe veprave penale që ndodhin. Njëjtë sikur t’i përdorim praktikat e disa arabëve që kanë instrumentalizuar Islamin për qëllimet e tyre politike, ideologjike e nacionale, por që thelbësisht s’kanë të bëjnë asgjë me Shpalljen Hyjnore. Përpjekjet për nacionalizimin e Islamit janë përpjekjet më të rrezikshme. Muslimanët paqësorë dhe humanë nuk mund të shantazhohen me veprimet e asnjë organizate terroriste ose ideologjike e as me diskurset e qarqeve islamofobe. 

     Ja se si euro-centristi racist dhe islamofob, Samuel Huntington, thoshte se problemi themelor i Perëndimit nuk është fundamentalizmi islam. Por është Islami! Ndryshe nga Huntington, Paul Findley, ish-senatori amerikan, për revistën al-Bayan më 2003, theksonte keqkuptimin e Islamit nga perëndimorët, duke deklaruar se kur amerikanët ta mësojnë të vërtetën për Islamin – besimet dhe përkushtimet e zakonshme që e lidhin atë me Judaizmin dhe Krishterimin – ata do të zgjatin dorën e miqësisë dhe të kooperimit. Tek e fundit, muslimanët gjejnë në kushtetutën amerikane të njëjtat parime themelore që janë paraparë në shtetin ideal, siç janë të përcaktuara në Kuran, si për shembull liria fetare, mosprania e dhunës në fe, tolerimi i njerëzve të çdo besimi dhe mbrojtja e të drejtave qytetare të të gjithë njerëzve, duke përfshirë minoritetet.

     Ndërsa Princi Charles, trashëgimtar i monarkisë britanike, në një fjalim publik në Universitetin e Oksfordit thoshte se nëse ka shumë keqkuptime në Perëndim lidhur me natyrën e Islamit, gjithashtu ka shumë injorancë lidhur me borxhin që kultura dhe civilizimi ynë i ka botës islame. Ky është një dështim që vjen nga historia e shtrembëruar që kemi trashëguar. Bota islame mesjetare, nga Azia Qendrore deri te brigjet e Atlantikut, ishte një botë ku dijetarët dhe njerëzit e dijës lulëzonin. Mirëpo, duke qenë se është bërë zakon që Islami të konsiderohet armik i Perëndimit, një kulturë e huaj, një shoqëri dhe një sistem besimi që nuk na përket neve, e kemi bërë zakon ta injorojmë ose ta fshijmë kontributin e tij të madh ndaj historisë tonë.

     Njohim raste kur Islamofobia është shndërruar edhe në manifestime terroriste me kauza të rrezikshme, si sulmi brutal nga supermacisti i bardhë australian Brenton Tarrant, në (dy) xhamitë në Christchurch, në Zelandën e Re, më 2019, ku mbetën të masakruar 51 muslimanë. Islamofobia fillon me sulme të vogla por ka rrezik të përfundojë në gjenocid, si Srebrenica 1995 dhe Gaza 2024! Mund të fillojë me një grup të vogël bande, por të kalojë në duart e miliarderëve oligarkë, mund të fillojë nga një media e vogël dhe të përfundojë në fuqitë qeveritare, mund të fillojë nga një tubim histerik dhe të përfundojë në projekt nacional! Këtë dallim nuk dinë dhe nuk duan ta bëjnë islamofobët në Kosovë, të cilët të gjitha këto tentojnë t’i shkrijnë në një.

     Sa bukur e shpjegon Malcolm se si vrasja e muslimanëve riprodhon revoltë radikale, dhunë dhe terror në mesin e muslimanëve, pasi në ligjëratën e tij të mbajtur më 2018, në Kishën e All Souls College të Universitetit të Oxfordit, ndër të tjera potencoi se duke lexuar rrëfime në gazetat e britanikëve dhe muslimanëve të tjerë të dënuar për terrorizëm gjatë dy dekadave të fundit, më ka habitur se sa shpesh kanë thënë se ishin imazhet e vrasjeve të muslimanëve në Bosnje që i shtyen ata në atë rrugë. Dhe pasoja ishte se ata radikalizuan muslimanët që nuk kishin qenë radikalë më parë. 

     Nga vjen ky diskurs? Një makineri propagandistike politike dhe mediale, me mjete agresive, me qëllim demonizimin e blasfeminë, duke i dhënë fesë karakter totalitar dhe johuman, një tablo negative në përshtatjen e tij me jetën moderne. Një elitë e brishtë antiartistike, që i arsyeton edhe karikaturat dhe parullat ofenduese ndaj profetit Muhamed, ku skandali më i njohur ishte “Charlie Hebdo”, pastaj sloganet anti-muslimane e deri tek fenomeni i djegies së Kuranit.

     Ulërimat e islamofobëve i gjejmë kudo: në shoqëri, në parlament, në parti politike, në institucione publike politike, arsimore e kulturore, në akademi, në universitet, në shkolla, në media, në shoqërinë civile, në elitën intelektuale, në rrugë, madje mund të gjejmë edhe në familjet tona. Të atillë që rrahin gjoks se janë “gardianët” e sekularizmit të shtetit, se ata po e mbrojnë vendin nga rrëshqitja drejt Lindjes dhe kthimi në Mesjetë. Është e pashmangshme që këto ulërima një ditë do t’u kthehen në klithma dhimbjeje vetëshkatërrimi. Nuk do të ketë kush t’i nxjerrë nga humnerat e theqafjes ideologjike.

     Sot e çdo ditë përdoren sintagma dhe maksima të ndryshme, të instrumentalizuara për qëllime politike dhe propagandistike, të keqinterpretuara, me qëllim të arritjes së një qëllimi ideologjik. Jo rastësisht ekziston pyetja dhe debati: “A kombi, a feja është më përpara?” Me obsesionim ekstrem, fanatikët fetarë dhe fanatikët kombëtarë tentojnë të krijojnë një konflikt ndërmjet fesë dhe kombit, duke i paraqitur këto identitete si kontradiktore. Ndërsa në të vërtetë feja dhe kombi janë identitete komplementare, e plotësojnë njëra-tjetrën dhe nuk imagjinohen as funksionojnë njëra pa tjetrën.

     Kështu ata sollën vargun poetik të njohur të Pashko Vasës: “E mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria!”, të cilën e keqpërdorën jashtëzakonisht shumë, fillimisht duke e paraqitur Pashko Vasën si njeri antifetar, që në fakt asnjë studiues serioz nuk mund ta interpretojë si thirrje të tij për mbylljen e xhamive dhe kishave apo për heqje dorë nga feja. Qëllimi i tij ishte uniteti, mobilizimi i të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje, në kauzën e krijimit të kombit dhe të shtetit shqiptar. Po, po, sepse islamofobët nuk e citojnë të plotë vargun e famshëm, të cilit i paraprijnë këto fjalë të mrekullueshme: “Çohuni, shqiptarë, prej gjumit çohuni! Të gjithë si vëllezër në një besë shtrëngohuni!”

     Ata ndiejnë një xhelozi dhe neveri të madhe kur u themi se Rilindja Shqiptare nuk ishte islamofobe, se rilindësit ishin atdhetarë, intelektualë, tolerantë dhe fetarë. Sikur kanë një dëshirë të flaktë ta ndryshojnë historinë! Atë histori që dokumenton se ne kemi pasur plot dijetarë muslimanë, të cilët ishin iluministë, eruditë, patriotë dhe vizionarë, me krenari të pathyeshme, me dije enciklopedike, me kontribute fetare, arsimore dhe kombëtare në proceset kryesore historike të krijimit të kombit dhe të shtetit shqiptar, që mbajtën qëndrime antikomuniste, por u lanë nën hije të historiografisë shqiptare, duke rrezikuar edhe fatin e ekskomunikimit.

     Ndër ta ishin: Mulla Idriz Gjilani, komandant dhe strateg i madh luftarak; Hafiz Ali Korça, me kontributin e tij antibolshevizmit dhe një nga mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë; Hoxhë Hasan Tahsini, rektor i parë i Universitetit të Stambollit, hartues i një alfabeti të veçantë të gjuhës shqipe dhe një nga kontribuesit e Lidhjes së Prizrenit; Haxhi Vehbi Dibra, i cili kryesoi Kongresin e Dibrës; Haxhi Zeka, me kontributin e tij në Lidhjen e Pejës; Ymer Prizreni, me kontributin e tij në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit; Hoxhë Kadri Prishtina, me kontributin e tij si drejtues i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës; Hafiz Ibrahim Dalliu, si mësues i gjuhës shqipe dhe kontribuues në Kongresin e Elbasanit; Iljaz Broja, patriot dhe luftëtar i madh kundër bandave çetnike; Hafiz Ali Kraja, i njohur për kontributin në çështjen e bashkimit kombëtar; Iljaz Haxhi Agushi, i cili ishte prefekt i Prefekturës së Prishtinës etj. (“100 Personalitete Shqiptare të Kulturës Islame”, botuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, 2015), e deri tek 37 imamët dëshmorë, të periudhës 1989 – 1999. 

     Toleranca dhe bashkëjetesa ndërfetare te shqiptarët nuk është mit, por është realitet i shkëlqyeshëm, sepse muslimanët jo vetëm që ishin tolerantë ndaj besimeve të tjera, por kanë kontribuar financiarisht edhe në ngritjen e një kishe të rëndësishme për besimin e krishterë në Prishtinë, si në rastin e Kishës së Stakajve, që regjimi komunist, më 1957, në emër të rregullimit të planit urbanistik e rrënoi, aty ku sot është monumenti i heroit Zahir Pajaziti. E muslimanët e asaj kohe, siç shpjegon studiuesi Bajram Mjeku, të cilët ishin punëtorë të autorizuar për rrënimin e kishës, refuzuan të bënin një gjë të tillë dhe i rezistuan regjimit komunist.

     Sigurisht se nga një kulturë islamofobe, që ka krijuar traditë të armiqësisë, është vështirë të njihet realiteti fetar me sy objektiv. Nëse ne e përqafojmë këtë fanatizëm antifetar apo nëse ne nuk reagojmë intelektualisht kundër tyre, do të shkojmë drejt një kryqëzate të re kundër identitetit islam. Dhe nuk do të mundë të pretendojmë se e duam shoqërinë, se e duam Zotin, se e duam të vërtetën, përderisa qëndrojmë indiferentë përballë Islamofobisë flagrante. Është obligim yni moral. Indiferenca është thelbi i hipokrizisë dhe i frikës për të cilat mund të na mallkojë historia.

     Kur këta partizanë të Islamofobisë duan të nxjerrin një argument, po marrin si referencë “Islamin Tradicional”, gjoja si një formë, sipas tyre, më tolerante dhe më liberale e ushtrimit të fesë. E unë i sfidoj me prova: Në arkivin tim personal kam ruajtur një ligjëratë të incizuar me audio, kushtuar kremtimit të festës së Kurban Bajramit, nga imam Adem Dobërdupi, mbajtur në Prishtinë, 50 vite më parë, në vitin 1975. Kam analizuar qasjen, strukturën dhe diskursin e Dobërdupit, nuk kam vërejtur dallime thelbësore as në përmbajtje, as në metodologji, as në argumentim, në krahasim me ligjërimet bashkëkohore të këtij gjysmëshekulli më vonë. Dopërdupi e fillonte ligjërimin duke përmendur historinë e profetit Ibrahim përkitazi me kurbanin si sakrificë; pastaj kritikonte indiferencën e besimtarëve për të sakrifikuar për idealin e besimit në Zot; kritikonte mosrespektimin dhe indiferencën e fëmijëve ndaj prindërve të tyre, në veçanti kompleksin e inferioritetit të njerëzve me prindërit e tyre në raportet publike; kritikonte mosardhjen e të rinjve në xhami dhe dominimin e moshës së shtyrë; kritikonte përpjekjen për futjen e risive në fe dhe heqjen e parimeve autentike fetare; kritikonte gjuhën ofenduese ndaj ritit të agjërimit të muslimanëve; kritikonte shpenzimet luksoze të dasmave dhe mosshpenzimin për projekte fetare; kritikonte kundërshtarët e Islamit; kritikonte trajtimin e dallimeve rajonale, kombëtare, që shndërroheshin në konflikte, ndarje dhe urrejtje; kritikonte me një gjuhë të rëndë dukuritë negative, si: alkoolizmin, amoralitetin, injorancën etj. Ju lutem, a munden islamofobët të më sfidojnë në këtë argument, të më sjellin një dëshmi të kundërt, një referencë apo provë arkivore të kundërt? Jam i gatshëm për ballafaqimin e tyre.

     Pra, as në ligjërimet e asaj kohe feja nuk ka qenë vetëm sferë private apo vetëm dimension rituali. Feja përdorej si referencë edhe në sferën publike, si manifestim publik, që prekte edhe problemet shoqërore, me një qasje kritike. 

     Prandaj, për fund, muslimanët të cilët respektojnë ligjin dhe rendin publik, të cilët kontribuojnë për shtetin dhe shoqërinë, nuk meritojnë të jenë të diskriminuar dhe as të margjinalizuar, nuk e meritojnë këtë qasje tërbuese të islamofobëve, vetëm pse i shprehin bindjet fetare në mënyrë publike. Kur ata duan ta ngritin zërin, protestat e tyre nuk meritojnë të etiketohen si “marshime urrejtjeje që prishin rendin dhe qetësinë”, që organizohen nga disa “personazhe të liga të çdo historie”. Kështu synohet të arrihet demonizimi dhe dehumanizimi i muslimanëve.

     Përgjigjja më e mirë kundër Islamofobisë e cila po na sillet si një fantazmë dhe përbindësh i rrezikshëm, do të ishte edukimi masiv dhe cilësor i muslimanëve besimtarë. Pra, kur ata shkollohen dhe kualifikohen, zotërojnë profesione intelektuale dhe fitojnë kompetenca shkencore, fillojnë të mendojnë në mënyrë kreative dhe kritike, bëhen jashtëzakonisht të ditur, të matur, të disiplinuar, seriozë, konkurrentë, të profilizuar dhe lexues të pasionuar të shkencave, për t’i thyer të gjitha paragjykimet që Islamin e etiketojnë si prapambetje shoqërore, si burim të perversiteteve dhe si kërcënim për mënyrën e jetesës. Sepse viktimizimi i vazhdueshëm i myslimanëve nuk është zgjidhje. Ata duhet të ecin përpara, ballëhapur, pa më të voglën ndjenjë inferioriteti. Kur ata shndërrohen në një komunitet konkurrues dhe njëherë e përgjithmonë shuajnë çdo variant të radikalizimit të tyre, atëherë islamofobët do ta shtonin kujdesin e tyre.

     E nëse islamofobët nuk duan të disiplinohen dhe këmbëngulin në një luftë të përhershme e të panevojshme me besimtarët muslimanë, atëherë i përshëndetim me fjalën e Zotit:

     “Thuaj: plasni në mllefin tuaj!” (Kur’an, Kaptina Ali Imran, Verseti 119).


https://observer.al/pse-jane-kaq-te-terbuar-islamofobet-ne-kosove/