Pse duhet shkolla?!

PSE DUHET SHKOLLA?!

Mund ta them troç: ndoshta e kam tepruar me këshilla ndaj nxënësve të mi. Mirëpo, diçka në vete më thotë se këshilla më së paku e përsëritur ishte: “Po jua lë tri porosi: 1. Shkollën; 2. Shkollë, dhe; 3. Shkollën!”. Dhe, çdoherë që e kujtoj se e kam thënë këtë këshillë, sikur më shfaqen para fytyrat e nxënësve të mi: disa që shikojnë thellë; disa të tjerë që shikojnë njëri-tjetrin, sikur për ta aprovuar kuptimin e përsëritjes; disa që shikojnë përhumbur; disa që servilshëm aprovojnë me shikim e kokë, kinse po e kuptonin porosinë… Ata që e kanë marrë këtë këshillë timen drejtpërdrejt, në klasë, e dinë fare mirë se me “shkollën” nuk e kam pasur për qëllim vetëm objektin, vetëm mësimin.

Pse sot një të riu i duhet shkolla?!

Çka do të bëhet ai kur të rritet e ta përfundojë shkollën?

Ata që nuk kanë përgjigje për këto pyetje janë shumicë. Dhe, pikërisht këtu çalon sistemi ynë arsimor-edukativ. Që shkollën nuk ka arritur ta bëjë vend të dashur për fëmijët. Që mësimin, sidomos të gjuhës amtare, nuk ka arritur ta bëjë kënaqësi. Dhe tani, pikërisht në kohë krize-epidemie, mësimi po tentohet të bëhet i kënaqshëm, dhe shkolla e dashur!

Shkolla nuk është vetëm objekt. As mësimdhënësi vetëm person. Dhe as mësimdhënia vetëm proces. Shkolla është koncept. Mësimdhënësi është shembull. Ndërsa mësimdhënia është art. Nëse të tjerët nuk është me rëndësi ta kuptojnë, MAShT-i duhet gjithsesi ta dijë, dhe atë një herë e përgjithmonë, se shkolla është koncept, se mësimdhënësit duhet t’i kthehet dinjiteti të jetë shembull, që pastaj mësimdhënia të zhvillohet edhe si kënaqësi (dolce), edhe si dobi (utile), pra si art. Nuk mund të mësohet askund sikur në shkollë. Nuk mund të merret shembull askush sikurse mësimdhënësi. Dhe nuk mund të funksionojë një mësimdhënie e shtirur. Mësimdhënia online në shoqërinë tonë është emergjente. Dhe, në emergjenca nuk duhet kërkuar idealen. Prandaj, mirë që ka filluar. Keq nëse vazhdohet pa kurrikulim të sistemit online, dhe pa inkorporim të kësaj forme si formë të rregullt (të paktën një orë në javë) edhe pasi të kalojë gjendja aktuale. 

Sidoqoftë, që të mund të gjejë përgjigje të kënaqshme, fillimisht për veten, çdo nxënës duhet t’i dijë katër arsye-pikapse shkolla është e rëndësishme:1. Mësimi i gjuhës amtare

Artikulimi mirë dhe në mënyrë elokuente i mendimeve te fëmijët arrihet vetëm përmes mësimit mirë të gjuhës amtare. (Ka një varg studimesh për këtë çështje, ndërsa vulën për këtë e ka vënë studiuesi Noam Chomsky). Fëmijët shqiptarë ëndrrat e tyre nuk i shohin anglisht. Ata vazhdimisht mendojnë shqip. Ndërsa, mosmësimi i gjuhës amtare siç duhet në shkollat tona po ua pamundëson shprehjen e mendimeve. Duke mos pasur mundësi të shprehen siç mendojnë dhe siç duan në gjuhën e tyre amtare, ngase nuk e zotërojnë mirë, ata stresohen. Dhe, për dy arsye: e para, për shkak se nuk po mund të shprehen komplet siç mendojnë (kompleksi i Sokratit, që nuk shkoi sepse në shkrim i dilte ndryshe mendimi), dhe; e dyta, sepse kur po shprehen po keqkuptohen për shkak të asaj që e thonë (sepse, fundja, shoqërisë i intereson se çfarë shkruan dhe çfarë thua, dhe jo çfarë mendon. (Kjo qasje duhet të ndryshojë. Zakonshëm shoqëria jonë interesohet në kultivimin e mësimit, pra me forma e re-forma, dhe jo të mendimit; jo të edukimit se si të mendohet, por të edukimit se si të mësohet. Mësimi është teknik. Mendimi është esenca e edukimit.)

Në këtë pikë më shërben edhe empirizmi: zakonshëm nxënësit e vitit të parë, kur i pyes se çfarë mendojnë për një çështje të caktuar, më përgjigjen: “E di, ama s’po di si ta them, profesor”. Pra, ata dinë të mendojnë, mirëpo për shkak të mosmësimit të gjuhës amtare nuk dinë të shprehen.2. Mësimi mirë i një gjuhe të huaj

Vetëm përmes mësimit të një gjuhe të huaj mund të arrihet të tejkalohet gjeomendimi etnik. Pra, secili nxënës duhet ta dijë rëndësinë e pranimit të mendimit ndryshe, dhe kjo arrihet vetëm me njohjen në esencë të formës se si mendon tjetri; vetëm përmes mësimit të gjuhës së tjetrit. Përmes mësimit të një gjuhe të huaj arrihet komunikimi me botën, me njerëzit dhe me librat nga kultura të ndryshme. Dhe, kjo është forma se si nxënësi arrin ta njohë veten si qytetar të botës.3. Njohja e teknologjisë në nivel elementar

Kjo është ndoshta pika që i bën të pendohen shumë mësimdhënës. Sidomos në këtë kohë, kur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës po synon implementimin e mësimit në largësi-online.

Me një fjalë, secili nxënës duhet ta dije se duhet të jetë në rrjedhë me kohën. 4. Kontaktet me informacionin

Nxënësi, pavarësisht moshës, vazhdimisht duhet të edukohet që të jetojë në kërkim të informacionit. Gjithsesi se këtu duhet instaluar edukimin e kërkimit të lajmit të vërtetë. Pra, jo të besohet gjithçka që dëgjohet. 

Nxënësit tanë shumicën e kohës e kalojnë nëpër video-lojëra kompjuterike, dhe jetojnë sikur të shkëputur nga një realitet real. Ata, shumica, jetojnë në një botë virtuale, dhe kështu mbeten komplet të painformuar për zhvillimet përreth tyre. Një formë e këtillë e jetës do t’i bëjë t’i përjetojnë shumë më rënd zhvillimet, çfarëdo qofshin ato (sikundër po e vërejmë krijimin e panikut për shkak të COVID-2019). Sepse do t’i kapë në befasi. 

Këto janë katër arsyet pse duhet shkolla. Sepse vetëm në shkollë secila prej këtyre mësohet sistematikisht. Mësohet gjuha amtare, një gjuhë e huaj, përdorimi në formën e duhur i teknologjisë, si dhe mënyra e marrjes dhe e vërtetimit tëinformacionit. Dhe, janë pikërisht këto pikat në të cilat çalojnënxënësit tanë. Prandaj edhe nuk kanë vizioni për të ardhmen e tyre.

Përkushtimi për arritjen në nivel zotërimi në secilën pikë do tandryshojë edhe perspektiven me të cilën të rinjtë tanë do tashihnin jetën dhe të ardhmen e tyre në atdhe. Dhe kjo domosdo se duhet të jetë pika themelore me të cilën duhet të merret Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës. Fundja, edhe Kurrikula e Re e Arsimit Parauniversitar të Kosovës, Qëllimet e saj, e kërkojnë një përkushtim në këto pika. 

Besnik Jaha