Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pse Binance i ngriu kriptovalutat e disa palestinezëve?

Pse Binance i ngriu kriptovalutat e disa palestinezëve?

Këmbimorja më e madhe në botë e kriptovalutave, Binance, i ka ngrirë asetet e disa palestinezëve pas një urdhri të Izraelit javën e kaluar.

Kjo lëvizje pa paralajmërim dhe pa shpjegim ka goditur shumë llogari të palestinezëve, ndërsa sasia dhe vlera e kriptovalutave të ngrira akoma nuk dihet.

Kërkesë nga Izraeli

Ministria izraelite e Mbrojtjes ka lëshuar një dokument me të cilin kërkoi ngrirjen dhe konfiskimin e përkohshëm të fondeve për disa palestinezë. Duke u thirrur në ligjet kundër terrorizmit, Izraeli e arsyetoi kërkesën ndaj Binance me pretendime për financim të terrorizmit dhe shpërlarje parash.

Arsyetimi i Binance

Vendimi i Binance që të veprojë sipas kësaj kërkese ngjalli shumë reagime në rrjetet sociale.

Kritikat ishin aq të mëdha, saqë Drejtori Ekzekutiv i këmbimores, Richard Teng, u detyrua të shpjegohet në X.

Ai thotë se bëhet fjalë vetëm për disa llogari, si dhe se Binance e respekton legjislacionin ndërkombëtar kundër pastrimit të parave. Binance nuk përmendi terrorizëm ose financim terrorizmi, që ishin pretendimet dhe arsyet e Izraelit për të kërkuar ngrirjen e këtyre fondeve.

“Vetëm një numri të kufizuar të llogarive, të lidhura me fonde të paligjshme iu bllokua transaksioni. Për këtë ka pasur disa deklarata të pasakta. Si këmbimore globale e kriptove, ne jemi në përputhje me legjislacionin e pranuar ndërkombëtarisht kundër pastrimit të parave, ashtu si çdo institucion tjetër financiar”, publikoi Richard Teng në X, mes të tjerash.

Tërheqja e fondeve nga Binance

Sidoqoftë, më shumë se 44 mijë Bitcoin, në vlerë rreth 2,6 miliardë dollarë, u tërhoqën nga Binance ditën që u përhap ky lajm.

Shumë njerëz e interpretuan këtë statistikë si bojkot ndaj këmbimores më të madhe të kriptovalutave në botë.

Exit mobile version