Ballina Autorë Pse Arabia Saudite kërkon të izolojë Katarin

Pse Arabia Saudite kërkon të izolojë Katarin

Shkruan: RAMI KHOURI

Kam ndjekur nga afër, madje duke lexuar dhjetëra analiza të autorëve arabë dhe jo-arabë, tensionet e reja të shkaktuara nga presioni që vendet e ndryshme janë duke ushtruar ndaj Katarit, me iniciativën e Arabisë Saudite. Ndër masat e vëna në veprim, janë ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike dhe izolimin i vendit, përmes ndërprerjes së rrugëve ajrore, detare dhe tokësore, që janë jetike për Katarin. Nuk është çudi që mediat janë duke spekulluar mbi arsyet e mundshme, se pse Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Egjipti, Bahraini dhe shtetet e tjera më të vogla, janë duke lëvizur në këtë drejtim.

Spekulimet, në raste të tilla, mbeten të tilla, për shkak bëhet fjalë për analizën e vendimeve politike, të marra nga qeveritë arabe, që veprojnë në fshehtësi dhe pa llogaridhënie për veprimet e tyre.

Pra më lejoni të shtoj mendimet e mia, edhe pse do të përqëndrohem në pozicione politike të gjera dhe të provuara, më shumë se sa në objektiva politike specifike dhe të një natyre hipotetike, në lidhje me çështje të tilla si marrëdhëniet me Iranin, liria e shtypit, marrëdhëniet strategjiko-ushtarake me Shtetet e Bashkuara, apo mbështetja për grupet islamike në botën arabe, si Vëllazëria Myslimane ose Hamasi.

Liri me kushte minimale

Për mua, kjo histori duket si përpjekje e një grupi autokratësh arabë, të udhëhequr nga sauditët, për të ruajtur kontrollin e rajonit, si dhe për të përmbushur kundër-revolucionin e tyre, pas kryengritjeve arabe të vitit 2011, gjatë të cilave, burrat dhe gratë e rajonit u shprehën, duke kërkuar më shumë liri, të drejta, drejtësi dhe dinjitet në jetën e tyre. Vetëm liria, të drejtat, drejtësia dhe dinjiteti janë vlera që frikësojnë sauditët dhe autokratët e tjerë arabë të cilët, me sa duket, mendojnë se duhet t’i reduktojnë në minimum, siç kanë bërë në gjashtë vitet e fundit.

Arabia Saudite dhe aleatët e saj, që sot përdorin teknika rrethimi kundër Katarit, duket të kenë diçka për të thënë në lidhje me politikat e këtij të fundit. Megjithatë, asnjë nga aktivitetet e Katarit që duket se kanë shkaktuar këtë rrethim, nuk godet vërtetë dhe në mënyrë domethënëse Arabinë Saudite. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet për Egjiptin dhe shtetet e tjera. Fakti që Katari ka marrëdhënie zyrtare me Iranin dhe Hamasin, dhe mbështet disa media relativisht të lira dhe të hapura brenda dhe jashtë vendit, maksimumi mund ta bëjë atë një shtet “të bezdisur”, por jo një kërcënim real për sigurinë.

E vërteta është se “kërcënimi” i perceptuar nga sauditët dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nuk është as konkret e as i rrezikshëm. Ata janë më shumë shenja të një politike të pavarur, e ndjekur nga një anëtar tjetër i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), që Arabia Saudite e ka të vështirë për ta pranuar.

Zyrtarët e Riadit kanë përdorur taktika të ngjashme në të kaluarën dhe në raste të tjera, duke ushtruar presion financiar mbi Libanin disa vjet më parë, duke siguruar financime dhe armë për rebelët kundër regjimit në Siri, duke u përpjekur që të dobësojnë shtimin e lidhjeve taktike të Iranit në botën arabe, duke shpenzuar disa miliona dollarë për të përmirësuar imazhin e vet në mediat perëndimore, si dhe ato në botën arabe. Përpjekje që kanë dështuar, pothuajse të gjitha.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti kanë përdorur metodat më drastike për të mbyllur gojën e të gjitha mediave të pavarura në botën arabe dhe, nga ky këndvështrim, Katari është një nga shënjestrat ideale të zemërimit të tyre. Ato nuk mund të pranojë që influencuesit e opinionit publik, gazetarë dhe analistë të pavarur, të shprehin publikisht mendime që bien ndesh me politikat e përcaktuara nga Arabia Saudite dhe që synojnë ruajtjen e status quo-së autoritare, e cila ka qenë përcaktuesja (dhe shkatërruesja) e botës arabe në gjysmëshekullin e fundit.

Krimi i Katarit, në sytë e Arabisë Saudite, qëndron në mosnënshtrimin dhe refuzimin për të mbyllur gojën e çdo zëri kritik, me armë dhe para. Katari është veçanërisht i ndjeshëm për teknikat e rrethimit që vuan sot, duke pasur parasysh pozitën e tij gjeografike: një gadishull i vogël i lidhur me Arabinë Saudite, nga i vetmi kufi tokësor që ka. Nëse rrethimi vazhdon, ai mund të jetë i detyruar të heqë dorë nga politikat e veta të pavarura. Në ditët e ardhshme do të bëhet më e qartë, se si ka ndërmend t’u përgjigjet presioneve.

Ajo që tashmë është e qartë, megjithatë, është vendosmëria e disa vendeve arabe, të udhëhequra nga Arabia Saudite, për të përdorur taktikat e luftës ekonomike dhe ushtarake të privimit të ushqimit dhe mjeteve të tjera, për të mbajtur botën arabe në gjendjen e saj aktuale të rrënimit. Ky është kërcënimi i vërtetë që qëndron varur mbi kokat e qytetarëve dhe kompanive në botën arabe. Edhe pse hapësira politike për të shprehur mendime të ngjashme, në rajon dhe në gjetkë, bëhet gjithnjë e më e vogël.

Përkthyer në shqip nga Bota.al

 

Exit mobile version