Provoni Shijen e Mrekullueshme të Rrushit të Ngrirë – I Freskët plot Ëmbëlsi

Kokrrat e ngrira të rrushit janë një delikatesë shumë e shijshme dhe e ëmbël.

Rrushi është një ndër miqtë më të mirë të organizmit dhe të njerëzve që duan të mirëmbajnë peshën trupore.

Në ditët e nxehta të verës, kokrrat e rrushit mund të futen në ngrirje dhe të shuajnë vapën e të ndezin shijet.

Ngrirja e këtyre kokrrave është një proces shumë i thjeshtë dhe mbi të gjitha i lehtë.

Si çdo frut tjetër, rrushi ka një përmbajtje të lartë ujore.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, rrushi është i pasur me vitamina C dhe B1.

Ai përmban flavonoidë, antioksidantë, kalium dhe mangan.

Rrushi përmban pak kalori dhe yndyrna, veçori që e bëjnë një frut perfekt për trupin.

AgroWeb.org ju kujton se rrushi i ngrirë është një zgjedhje shumë herë më e shëndetshme se çdo ushqim tjetër i ngrirë.
Si Të Ngrini Kokrrat E Rrushit

Për një ngrirje të mirë, është e rëndësishme të zgjidhni kokrrat pa fara.

Kokrrat e rrushit duhen larë mirë përpara ngrirjes, sepse rrushi konsiderohet si një ndër frutat më të ndotura me pesticide.

Pas larjes, vendosini kokrrat në një kullesë dhe sigurohuni që të jenë të thatë përpara se t’i fusni në ngrirje.

Për të mundësuar këtë, hiqini kokrrat nga kullesa dhe thajini një e nga një me letër kuzhine.

Më pas vendosini kokrrat në një tabaka ku keni shtruar një shtresë të hollë plastike.

AgroWeb.org ju udhëzon të vendosni tabakanë në ngrirje që kokrrat e rrushit të ngrihen siç duhet.

Pasi ato të jenë ngurtësuar, mblidhini dhe futini në një qese plastike.

Sigurohuni që qeset të kenë sa më pak ajër.

Për të bërë këtë, përdorni një pipth që e vendosni në një pjesë të hapur të qeses, nëpërmjet të cilit mund të thithni ajrin e mbetur.

Më pas, hiqeni pipthin plastik dhe mbylleni qesen mirë duke treguar kujdes që të mos shtypni kokrrat e ngrira të rrushit.

Ato mund t’i konsumoni sipas dëshirës, sa herë që të keni dëshirë për diçka të ëmbël dhe të shëndetshme. /agroweb