Prova të reja për dezertorët turq: Komplotuan vrasjen e Erdoganit

Tetë ushtarakët turq, që u arratisën me një helikopter nga Turqia për në Greqi pas grushtit të dështuar të shtetit, kanë pasur lidhje me grupin e komandove që u përpoqën të vrasin presidentin Recep Tayyip Erdogan.

 Lajmin e publikojnë disa medie turke, si agjencia e lajmeve “Anadolu” dhe gazeta “Hurriyet”, të cilat iu referohen burimeve nga zyra e Antiterrorit të Prokurorisë së Përgjithshme të Stambollit.

 

Sipas të dhënave që janë publikuar deri më tani, 4 nga ushtarakët turq kanë biseduar në telefon mbrëmjen e 15 korrikut me disa prej komandove në Marmaris, të cilët kishin marrë përsipër atentatin për eliminimin e presidentit turk që ndodhej aty me pushime.

Gazeta “Hyrriyet” ka publikuar edhe minutazhin e bisedave telefonike, si dhe emrat e ushtarakëve dhe të bashkëbiseduesve të tyre.

Këto të dhëna tashmë pritet të dërgohen tek organet gjyqësore greke dhe mund të ndryshojnë krejtësisht rrjedhën e ngjarjeve për sa i përket riatdhesimit të tyre dhe dorëzimit tek organet turke, pasi tashmë ata mund të akuzohen si bashkëpunëtore të puçistëve, fakt që e kishin mohuar dhe për të cilin drejtësia greke nuk ka pasur prova.

Një muaj më parë, Gjykata greke e Apelit dha dy vendime të ndryshme për ushtarakët turq të arratisur: për 5 prej tyre u vendos që duhet të mos dorëzohen tek organet turke, ndërsa për 3 të tjerët që duhet të dorëzohen, duke krijuar një klimë pakënaqësie në Ankara.

Ka shumë mundësi tashmë që shqyrtimi i kërkesave të reja të Apelit për të dy vendimet, i planifikuar në datat 10, 11 dhe 13 janar, të bëhet duke përdorur edhe të dhënat e reja të Prokurorisë turke nëse ato mbërrijnë në kohë. /tch/