Protestuesit libanezë sot kanë bllokuar rrugët në disa qytete në shenjë proteste ndaj përkeqësimit të kushteve të jetesës dhe ekonomike në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas reporterit të AA-së, protestuesit bllokuan rrugët dhe hyrjet në kryeqytetin Bejrut me kontejnerë mbeturinash dhe barrikada për të parandaluar qytetarët të shkojnë në punë.
Protestuesit e zemëruar përdorën gjithashtu goma të djegura dhe kontejnerë mbeturinash për të bllokuar rrugët në qytetin verior të Tripolit, mes një dislokimi të madh të forcave të ushtrisë.
Disa shkolla pezulluan mësimet për të garantuar sigurinë e nxënësve.
Rrugë të bllokuara u raportuan gjithashtu në qytetin e Sidonit dhe Luginën Bekaa.
Walid Joumblatt, kreu i Partisë Socialiste Progresive, paralajmëroi në një postim në Twitter të hënën se Libani është “duke u përpëlitur nën peshën e urisë, çmimeve të ilaçeve, faturave të spitaleve” si dhe rënies së lirës.
Një qeveri e re libaneze e udhëhequr nga Najib Mikati u formua në shtator, duke i dhënë fund një vakumi pushteti prej më shumë se një vit. Ish-kryeministri Hassan Diab kishte dhënë dorëheqjen pas shpërthimit katastrofik në Portin e Bejrutit vitin e kaluar. /aa