Protesta “Drejtësi për Astritin” është duke vazhduar para Kuvendit të Kosovës, me ç’rast është kërkuar dorëheqja e dy ministrave.
Shoqëria civile ka kërkuar dorëheqjen ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, si dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, raporton KTV.
“Kërkesa e pashmangshme për dorëheqjen e dy ministrave, të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Ne si grup do të kërkojmë që jo vetëm seanca, por të plotësohen edhe kërkesat e tjera. Ne i kemi dërguar letrat tona organizmave ndërkombëtar për të drejtat tona dhe tashmë kanë filluar reagimet e para, ku shpresojmë se do të na ndihmojnë në këtë aspekt”, ka thënë Besa Luzha.
Ajo ka kërkuar gjithashtu nga deputetët që qytetarët t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë.
“Deputetë, kujdesuni që secili qytetar të trajtoht barabart dhe nëse ju nuk e kryeni punën siç duhet ne do të brengosemi për atë se çfarë është duke ndodh”, ka thënë ajo.
Kurse Yll Rogova ka thënë se protestat do të vazhdojnë deri sa të zbardhet e drejta për vdekjen e Astrit Deharit.
“Ky është një ofendim i madh për qytetarët e Kosovës që kanë marrë mundin me nënshkruajnë peticionin ‘Drejtësi për Astritin’ e që nuk është marr parasysh nga Kadri Veseli me arsyetimin se peticioni nuk është dërguar në kryesi. Kërkojmë shkarkimin e zinxhirit komandues që kanë lejuar të ndodh vdekja e Astrit Deharit. Do të vazhdojmë të protestojmë derisa të zbardhet e drejta”, është shprehur Rugova.
Në protestë është prezent edhe familja e Astrit Deharit.