Mijëra qytetarët në organizim të disa lëvizjeve dhe organizatave të tjera sot në sheshin “Maqedonia” protestuan kundër ndryshimit të emrit të shtetit, njëkohësisht duke kërkuar që negociatat për emrin me Greqinë të ndërpriten, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e tubuar fillimisht rikujtuan se para një viti filluan protestat qytetare të shoqatës “Për Maqedoni të Përbashkët” dhe kërkuan të lirohen personat që janë në paraburgim për shkak të ngjarjeve të 27 prillit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Nga Kongresi Botëror Maqedonas, si një nga organizatorët e protestës porositën se kërkojnë t’u jepet fund bisedimeve për kontestin me emrin mes Maqedonisë dhe Greqisë, tërheqjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, tërheqjen e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, lirimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve për dhunën në Kuvend më 27 prill.
Nga protesta u kërkua që të ndërpriten negociatat me ndërmjetësimin e Matthew Nimetz dhe autoritetet t’u drejtohen Asamblesë së Përgjithshme të OKB-ve, si instanca e vetme ndërkombëtare në të cilën Republika e Maqedonisë është anëtare e barabartë me të gjitha shtetet që e njohin nën emrin kushtetues. Gjithashtu u kërkua t’i jepet fund përdorimit të referencës dhe të miratohet rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-ve me të cilën Maqedonisë do t’i garantohej anëtarësimi i pandërprerë në organizatat ndërkombëtare me emrin kushtetues.
Po ashtu, qytetarët që protestuan porositën se hedhin poshtë referendumin për emrin, duke kërkuar nga pushteti, “që të heqë dorë nga synimi për ndryshimin e emrit”.
Ata paralajmëruan se kërkesat do të dorëzohen deri te presidenti, Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë dhe deri te të gjitha ambasadat e huaja në vend.
Nga protesta u porosit se nëse Qeveria nuk i pranon kërkesat, kërkojnë vetëshpërndarje të Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Në parullën “Ne jemi Maqedonia” sot u protestua në disa qytete evropiane, ndërsa protesta u mbajtën edhe në Australi.