Qindra persona të mbledhur në qytetin Melbourne të Australisë kanë protestuar kundër racizmit i cili në kohët e fundit është në rritje, raporton Anadolu Agency (AA).
Në protestën e mbajtur kundër racizmit përpara ndërtesës së bibliotekës në Melbourne janë mbledhur qindra persona nën organizimin e 20 organizatave joqeveritare, si Organizata për Luftën Kundër Racizmit dhe Fashizmit, Koalicioni i Veprimit për Refugjatët, Studentët dhe Gratë për Palestinën.
Në fjalimet e mbajtura në protestën e zhvilluar kundër grupeve raciste të cilët janë në rritje kohët e fundit në vend u theksua se në Australi nuk do të lejohen protesta të tilla si ajo e mbajtur muajt e kaluar në Charlottesville të SHBA-ve. Në fjalime gjithashtu duke u rikujtuar rëndësia për të luftuar në kohë kundër të gjitha këtyre grupeve ekstreme u bë thirrje për të qenë gjithmonë të kujdesshëm.
Bëhet e ditur se policia e rajonit Victoria në protestën e zhvilluar nën masa të sigurisë ka ndaluar një mashkull i cili kishte mbuluar fytyrën dhe ka kryer rezistencë ta zbulonte si dhe një grua e cila ka tentuar të sulmojë një gazetar.
“Mirë se erdhët muslimanë, jo racizmit”
Protestuesit të cilët më pas kanë nisur një marshim kanë hedhur slogane në favor të muslimanëve, emigrantëve dhe aborigjinëve, popullatës vendase të Australisë, si dhe kanë brohoritur me slogane kundër grupeve të djathtë ekstremë.
Gjithashtu protestuesit kanë mbajtur në dua pankarta me mbishkrimet “Mirë se erdhët muslimanë” dhe “Mirë se erdhët refugjatë” si dhe kanë brohoritur me sloganet “Nazistë të pisët largohuni nga bulevardet” dhe “Gjithmonë kemi qenë vend i aborigjinëve dhe ashtu do të mbesë”.
Pasi kanë marshuar deri përpara ndërtesës së parlamentit të rajonit Victoria protestuesit janë gjendur përballë një grupi të djathtë ekstrem prej 50 personash. Grupet janë ndarë me ndërhyrjen e policisë me barrikada dhe përgjatë protestës e cila ka zgjatur afërsisht 3 orë grupet kanë hedhur slogane kundër njëri-tjetrit.
Protestuesit pas largimit nga zona e grupit të djathtë ekstrem janë shpërndarë pa ndodhur asnjë incident.