Protestë dhe pulla me thirrje “Armëpushim në Gaza” në ceremoninë për Oscar

Në ceremoninë e 96-të të ndarjes së çmimeve Oscar të mbajtur në ShBA, filmi “Oppenheimer” mori çmimin “Filmi më i mirë” ndërsa Christopher Nolan, u cilësua si “Regjisori më i mirë”. Në fjalimin e tij gjatë mbrëmjes regjisori Jonathan Glazer reagoi ndaj okupimit të Gazës, teksa jashtë sallës së Oscar po zhvillohej një protestë po në mbështetje të Gazës.

Protestuesit propalestinezë u mblodhën para Teatrit Dolby para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, duke protestuar për një armëpushim emergjent në Gaza. Protestuesit mbanin nëpër flamuj palestinezë ndërsa brohoritën me slogane “Palestina e Lirë” dhe “Menjëherë armëpushim në Gaza”.

Si rrjedhojë e protestës, ceremonia e ndarjes së çmimeve nisi pak me vonesë, e cila u transmetua edhe nga mediat amerikane.

Armëpushim të menjëhershëm në Gaza kërkuan edhe aktorët e famshëm të Hollywoodit, si Ramy Youssef, Mark Ruffalo dhe Billie Eilish të cilët pozuan në tapetin e kuq me pulla që simbolizonin kërkesën “armëpushimin për Gazën” në jakat e tyre.

Me mbishkrimin “Artists4Ceasefire”, të krijuar nga aktorët e filmave bënë thirrje për armëpushim në Gaza.

Aktori i njohur Ramy Youssef në një deklaratë për mediat para ceremonisë së ndarjes së çmimeve u shpreh se “Ne bëjmë thirrje për armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Gaza. Ne bëjmë thirrje për paqe dhe drejtësi të përhershme për popullin palestinez. Ky është në fakt një mesazh universal: Ndaloni vrasjen e fëmijëve”.

Duke vënë në dukje se ata bënë thirrje për armëpushim në Gaza me një platformë që përfshin shumë aktorë të famshëm të Hollywoodit, Youssef tha gjithashtu se ai shpreson për një armëpushim.

Ai theksoi se administrata amerikane po i afrohet dalëngadalë një armëpushimi për këtë çështje. Duke iu referuar thirrjes së zëvendëspresidentes së ShBA-së, Kamala Harris, për një armëpushim, aktori tha: “Pse nuk duhet të jetë tani koha për këtë?”.

Youssef tha se shumë artistë po bënë thirrje simbolike për armëpushim në Gaza me një karficë të kuqe.

Mbështetje për Gazën nga regjisori fitues i Oscarit

Jonathan Glazer, i cili fitoi çmimin për “Filmin më të mirë në gjuhë të huaj” me filmin e tij “Zone of Interest” për Holokaustin, ka reaguar gjithashtu ndaj pushtimit në Gaza në fjalimin e tij teksa pranoi çmimin e tij.

“Ne qëndrojmë para jush si njerëz që refuzojnë uzurpimin e Holokaustit dhe hebraizmit të tyre nga një okupim. Ky pushtim ka sjellë konflikt për shumë njerëz të pafajshëm, qofshin viktimat e 7 tetorit në Izrael apo sulmet e vazhdueshme në Gaza, të gjithë janë viktima të këtyre akteve të çnjerëzimit”, theksoi Glazer.