Protestat pro Bashkimit Evropian (BE) në Gjeorgji, të cilat kanë vazhduar për më shumë se një muaj kundër pezullimit të negociatave të anëtarësimit, vazhduan edhe në natën e Vitit të Ri në kryeqytetin Tbilisi, raporton Anadolu.
Demonstratat filluan më 28 nëntor në përgjigje të vendimit të kryeministrit Irakli Kobakhidze për të pezulluar bisedimet e Gjeorgjisë me BE-në për katër vjet për shkak të asaj që ai e përshkroi si “shantazh dhe manipulim” nga disa prej politikanëve të bllokut.
Protestat, të cilat filluan pas zgjedhjeve parlamentare më 26 tetor dhe u përshkallëzuan për shkak të qëndrimit të qeverisë për integrimin në BE, vazhduan në Tbilisi pavarësisht festës së Vitit të Ri.
Mijëra demonstrues u mblodhën para ndërtesës së parlamentit në natën e Vitit të Ri, duke sjellë ushqime festive të bëra vetë. Ata vendosën tavolina përgjatë rrugës “Shota Rustaveli” dhe ofruan ushqim për turistët që vizitonin kryeqytetin.
Turma e priti 2025-tën me shfaqje fishekzjarrësh, ndërsa brohoriste parulla që i bënin thirrje qeverisë të zhvillojë zgjedhje të reja parlamentare.
Duke valëvitur flamu të BE-së, Gjeorgjisë dhe vendeve të tjera, demonstruesit qëndruan në zonë për orë të tëra, duke festuar së bashku Vitin e Ri.
Qeveria e Kobakhidzes ka akuzuar forcat e mbështetura nga perëndimi, duke përfshirë mbështetësit e ish-presidentes pro-perëndimore Salome Zourabichvili dhe grupet opozitare, për përpjekje për të përmbysur qeverinë përmes “demonstratave në rrugë”.
SHBA-ja dhe disa vende evropiane kanë vendosur sanksione ndaj zyrtarëve të qeverisë gjeorgjiane.