Në protestën kundër globalizimit me sloganin “Mirë se vini në ferr”, protestuesit janë përleshur me policinë, duke hedhur shishe dhe gurë, si pasojë e të cilave janë lënduar 111 policë.
Policia u është kundërvënë demonstruesve me gaz lotsjellës dhe topa uji, transmeton AFP. Përleshjet janë duke vazhduar edhe sot.
Policia ka rishikuar bilancin e përleshjeve që nisën mbrëmë me policinë dhe ka bërë të ditur se numri i të lënduarve në mesin e policëve është 111, 29 persona janë arrestuar dhe 15 të tjerë janë dërguar në paraburgim, transmeton agjencia e lajmeve gjermane DPA. Policia njoftoi sot se në rrjedhë është operacioni kundër personave të dhunshëm, të cilët po gjuajnë koktej mollotovi dhe ua kanë vënë flakën veturave të policisë në lagjen Alton, në afërsi të stacionit policor,
Po ashtu, policia njoftoi se sot kanë përdorur topa të ujit për të shpërndarë bllokadën e demonstruesve te liqeni, ndërkohë që sot do të fillojë samiti i G20, transmeton AP. Siç thuhet, demonstruesit janë paralajmëruar shumë herë para se të vinte deri tek intervenimi.
Katër helikopterë po fluturojnë mbi qytet. Televizioni NTV njoftoi se ka disa automjete të djegura.
Gjatë samitit G20 priten deri në 100.000 demonstrues.
Samiti në Hamburg mbledh liderët botërorë në mesin e të cilëve edhe presidenti amerikan, ai i Rusisë dhe Kinës – Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping. Sipas vlerësimit të shumë agjencive botërore ky mund të jetë samiti më i tensionuar deri më tash.
Për sigurinë e samitit në Hamburg janë angazhuar rreth 20.000 policë.