Policia e Kukësit ka arrestuar nëpër banesat e tyre disa persona që mendohet të kenë qenë pjesëmarrës në protestën kundër taksës së “Rrugës së Kombit”.
Sipas familjarëve të personave të arrestuar, të afërmit e tyre janë marrë nga efektivë policie me maska rreth orës 03:00.
Nuk dihet ende numri i personave të arrestuar.
Protesta e së shtunës degjeneroi në përplasje me policinë dhe shkatërrim e djegie të sportelit të vjeljes së taksës nga koncesionari.
Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një statusi në faqen zyrtare në Facebook, kërcënoi ditën e djeshme se të “gjithë vandalët do të marrin dënimin e merituar”, ndërsa u shpreh se askush nuk do të mund të shkatërrojë pronën publike.
“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit mbi këdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se ia dalin dot mbi ligjin”, shkroi i pari i qeverisë.