Protesta të dhunshme shpërthyen në Milano të Italisë për dy netë radhazi në një lagje të banuar kryesisht me imigrantë, pas vdekjes së një të riu në një aksident trafiku teksa po ndiqej nga policia, transmeton Anadolu.
Ngjarja ndodhi vonë natën e 23 nëntorit, kur dy të rinj me origjinë të huaj, me një motoçikletë, nuk ndaluan në një postbllok policie dhe më pas u ndoqën nga forcat e sigurisë.
Ndjekja përfundoi me një aksident trafiku në rrugën Ripamonti. Ramy Elgaml, i cili besohet të jetë rreth 20 vjeç, vdiq në aksident, ndërsa shoqëruesi i tij 22-vjeçar tunizian u plagos dhe u shtrua në spital.
Mediat lokale njoftuan se vdekja e Elgaml-it gjatë ndjekjes nga policia në qarkun Corvetto, një zonë e populluar kryesisht nga emigrantët, shkaktoi protesta.
Sipas raportimeve, një grup prej rreth 70 personash u përpoqën të bllokonin disa rrugë duke vendosur barriera, të cilave më vonë u vunë flakën. Këto ngjarje u përsëritën të dielën dhe të hënën në mbrëmje.
Protestat u shndërruan në protesta të dhunshme, me përleshje mes demonstruesve dhe forcave të sigurisë. Protestuesit hodhën shishe dhe fishekzjarrë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës.
Gjatë trazirave, mësohet se është arrestuar një 21-vjeçar nga Mali i Zi.
Teksa situata në Corvetto, ku protestat kishin ndodhur për dy natë, ishte më e qetë në orët e fundit krahasuar me ditët e mëparshme, tensionet në lagje mbetën të larta.
Gazetat italiane raportuan se demonstratat pas vdekjes së Elgaml-it ishin përshkallëzuar në një trazirë në shkallë të vogël në Milano.
Detaje të tjera nga mediat treguan se Elgaml, i cili kishte pësuar një atak në zemër gjatë incidentit, nuk mundi të ringjallej përkundër të gjitha përpjekjeve.