Protesta të dhunshme janë mbajtur në rrugët e Bejrutit, pak kohë para se të mbahet një video-konferencë, që ka për qëllim mbledhjen e fondeve, për të ndihmuar Libanin pas shpërthimit të fuqishëm të 4 gushtit.
Më 4 gusht, në zonën e portit në Bejrut, pas një shpërthimi të fuqishëm u vranë të paktën 160 persona dhe u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, janë nikoqirë të kësaj konference, që ka për qëllim të mbledhë donatorët, për të siguruar fonde që do të ndihmonin Libanin të përballej me pasojat që ka shpërthimi i 4 gushtit.
Presidenti francez, Macron më 6 gusht vizitoi kryeqytetin e Libanit, Bejrutin dhe pa nga afër shkatërrimet që la shpërthimi. Po ashtu, ai pa edhe zemërimin e njerëzve të cilët e kanë përshkruar udhëheqësinë e Libanit si “terroriste”.
Më 8 gusht, në protestuesit rrethuan institucionet qeveritare dhe u përleshën me forcat policore të cilët hodhën gaz lotsjellës dhe përdorën plumba gome ndaj protestuesve.
Një polic u vra në këto përleshje. Qindra njerëz të tjerë u plagosën. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe bën thirrje që të dënohen të gjithë përgjegjësit e shpërthimit në Bejrut./tch