Protesta në Sarajevë kërkon paqe të qëndrueshme për palestinezët

Qytetarët e Sarajevës u mblodhën sot në sheshin qendror në Bashçarshi afër Sebilit për të mirëpritur armëpushimin në Gaza.

Të mbledhurit i kërkuan komunitetit ndërkombëtar të sigurojë paqe të qëndrueshme për popullin e vuajtur të Gazës dhe Palestinës në tërësi.

Javën e kaluar, të mërkurën, kur në kryeqytetin e Katarit u ra dakord për një armëpushim në Gaza, banorët e Sarajevës, Mostarit dhe qyteteve të tjera në Bosnjë e Hercegovinë festuan paqen e shumëpritur me një paradë në kolonë makinash.

Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman, njoftoi të mërkurën e kaluar në mbrëmje, më 15 janar, se ishte arritur një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës, duke theksuar se zbatimi i saj do të fillojë të dielën, më 19 janar, në orët e mëngjesit.

Bin Abdulrahman theksoi se Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara do të “punojnë për të siguruar zbatimin e marrëveshjes”, me mekanizma të vendosur për ta monitoruar zbatimin e saj dhe për të adresuar shkeljet e mundshme.

Pas arritjes së armëpushimit, shumë banorë të Gazës të zhvendosur u drejtuan për në shtëpitë e tyre, duke shpresuar të rindërtonin jetën e tyre në rrënojat e shtëpive të tyre të djegura.

U ra dakord gjithashtu për një shkëmbim pengjesh, me Hamasin duke liruar tashmë disa izraelitë të arrestuar, ndërsa forcat izraelite njoftuan lirimin e disa qindra palestinezëve të burgosur, kryesisht në Bregun Perëndimor.

Edhe pse armëpushimi është në fuqi, forcat izraelite vazhdojnë të hapin herë pas here zjarr ndaj Gazës, e cila vazhdon të shkaktojë vdekje dhe vuajtje për palestinezët. Më shumë se 150 palestinezë janë vrarë që nga vendosja e armëpushimit.

Përndryhe, në sulmet në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, më shumë se 46.000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 110.000 njerëz janë plagosur.

Në nëntor 2024, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.