Iniciativa Qytetare për Veprim organizoi aksion simbolik kundër ndërtimit të murit ndarës në Mitrovicë dhe kundër ekipit negociator të Kosovës të përbërë nga Isa Mustafa, Edita Tahiri dhe Agim Bahtiri.
Ky aksion u zhvillua para Qeverisë së Kosovës.
Bujar Voca nga kjo iniciativë ka thënë se përgjegjës kryesor për ndarjen e Mitrovicës, për murin, për vizat, për demarkacionin është BE-ja.
“Një kryeministër si Isa që akuzohet për 3%, për shkatërrim të Prishtinës, i cili akuzohet për 70 vepra korruptive nuk është i duhur për vend. Po ashtu ekipi negociator i Kosovës nuk po bën asgjë. Edita duket si pulë që ia kanë hequr puplat BE, Isa duket si gjel frikacak, dhe Bahtiri si quran që vetëm fryhet e s’bën asgjë”, ka thënë ai.
Sipas tij, BE-ja Serbisë po ia plotëson të gjitha favoret ndërsa Kosovën po e dëmton në procese të tilla.
Ne kemi kërkuar nga BE-ja të ndryshojë qëndrimin për Kosovën, por duam që edhe qeveria jonë të ndryshojë.
“Qeveria Mustafa ka dështuar në çdo gjë si në arsim, shëndetësi, ekonomi, legjislacion, integritet. Kërkojmë dorëheqje të kësaj qeverie dhe përgjegjësi që të krijohet qeveri e re”, u shpreh Voca.
Voca më tej tha se me politikan si Isa Mustafa ndarja e Kosovës po bëhet realitet.