Mijëra protestues marshuan të shtunën në disa kryeqytete të Evropës duke kundërshtuar masat kufizuese dhe certifikatat e covid-19
Protestuesit në Beograd i vunë zjarrin një flamuri shumëngjyrësh të shtunën gjatë protestës kundër vaksinimit të detyrueshëm dhe kundër vendosjes së certifikatave të Covid-19. Demonstrata u mbajt në të njëjtën kohë kur po zhvillohej parada e komunitetit LGBT në Beograd, e cila u zhvillua nën monitorimin e qindra forcave policore.
Autoritetet serbe përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë janë ende duke konsideruar marrjen e një vendimi për certifikatat e covid. Në Serbi deri më tani janë vaksinuar rreth 41% të popullatës sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins, teksa shumë shtete të Europës Jug-Lindore janë duke u përballur me një rritje të numrit të rasteve të të infektuarve.
Të shtunën 3 mijë protestues u mblodhën në kryeqytetin kroat, në Zagreb për të protestuar ndaj kufizimeve të koronavirusit, duke pretenduar se ato shkelin të drejtat dhe liritë e njeriut.
Në fjalën e mbajtur, organizatorët e protestës të quajtur “Festivali I Lirisë” bënë thirrje që njerëzit të ngrihen kundër autoriteteve.
Një tjetër protestuese, punonjësja spitalore, Leposlava Biskupiç deklaroi se ishte kundër çdo mase kufizuese teksa e konsideroi si shkelje masive të të drejtave. Deri më tani Kroacia regjistron 8500 viktima që nga nisja e pandemisë.
Edhe në Paris u mblodhën qindra persona për të protestuar ndaj certifikatave shëndetësore të vendosura me detyrim nga qeveria për të menaxhuar pandeminë e Covid-19. /euronews