Dita e parë e shtatorit pritet të jetë dramatike për shkak të zhvillimeve politike që pritet të ndodhin atë ditë në vend, e kjo për shkak të ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi në njërën anë dhe protestës së thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje në anën tjetër.
Krerët e shtetit kanë deklaruar se çështja e ratifikimit të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi duhet të kryhet e kjo për faktin sepse ajo po bllokon procesin e liberalizimit të vizave.
Kryeministri, Isa Mustafa sot gjatë mbledhjes së qeverisë, theksoi se Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë me Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi dhe se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden gjatë vizitës që pati në Kosovë theksoi se insistimi i një grupi të vogël se Kosova po humb territor është krejtësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm.
Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi mbrëmë ka thënë se çdo vonesë për ratifikimin e demarkacionit nga Parlamenti i Kosovës, e minon të ardhmen evropiane të Kosovës.
Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është shprehur i bindur se Demarkacioni do të miratohet më 1 shtator.
Ai tutje shtoi se deputetët duhet të reflektojnë sepse mesazhet janë të qarta: Kosova ka mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara, nga presidenti Obama, zëvendëspresidenti Biden dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë.
Mirëpo pavarësisht kësaj, Lëvizje Vetëvendosje vazhdon të jetë këmbëngulëse për moslejimin e ratifikimit të kësaj marrëveshje.
Ata kanë thirrur protestë gjithëpopullore më 1 shtator ku edhe kanë thënë se do ta ndalin ratifikimin e Demarkacionit me çdo kusht e çdo mjet demokratik.
Lidhur me këtë çështje, eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka thënë për Telegrafin se paralajmërimi i protestës gjithëpopullore nga Lëvizja Vetëvendosje, kundër Demarkacionit pikërisht në ditën kur pritet të votohet nga deputetët, tregon vendosmërinë e këtij subjekti që me çdo çmim ta parandalojnë këtë marrëveshje, ani pse qeveria ka marrë zotime para ndërkombëtarëve se marrëveshjen me Malin e Zi do ta votojë në Kuvend.
“Protesta pritet të jetë agresive sipas përfaqësuesve të VV-së, por duke i parë mosmarrëveshjet dhe duke pa një moskordimin të opozitës, mendoj se kjo do ta zbeh fuqinë e kësaj proteste. Pra mekanizmat e sigurisë do të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për çfarë do sfide, tashmë veç kanë një përvojë në menaxhimin e turmave dhe protestave të dhunshme”, ka thënë Islami.
Ai ka shtuar se gjatë kësaj proteste duhet pasur kujdes nga individë të frustruar të cilët nuk i kontrollon askush, e në anën tjetër duhet pasur kujdes nga agjentë të infiltruar të cilët mund të nxisin dhunën e këtë detyrë të rëndësisë së veçantë e ka AKI-ja dhe Inteligjenca e Policisë së Kosovës.
Në anën tjetër, analisti politik Imer Mushkolaj ka theksuar se nuk mund ta paragjykojmë rrjedhën e protestës.
“Situata edhe mund të eskalojë, varësisht nga zhvillimet. Por, duhet pasur parasysh se kjo protestë, sikurse edhe të mëparshmet, organizohet pikërisht për shkak të qasjes së gabueshme që Hashim Thaçi e Isa Mustafa kanë zbatuar në përcaktimin e vijës kufitare me Malin e Zi”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.
Ai ka shtuar se po të ishte arritur një koncensus nacional për këtë çështje – gjë që ishte e mundur, por nuk kishte vullnet – nuk do të përballeshim me situatë të tillë, andaj edhe pasojat tash mund të jenë të paparashikueshme.
Vlen të theksohet se dy partitë e tjera opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë deklaruar se nuk do të jenë pjesë e kësaj proteste.