Propagandë në median sociale kundër operacionit “Dega e Ullirit”

ANKARA (AA) – Është konstatuar se janë me datë të vjetër dhe nga ngjarje të ndryshme disa fotografi të cilat janë publikuar në median sociale me pretendimin se janë shkrepur gjatë operacionit “Dega e Ullirit” që Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) ka ndërmarrë ndaj objektivave të organizatës terroriste në Afrin të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në llogaritë e mediave sociale ka nisur një fushatë njollosjeje pas operacionit të kryer nga Forcat e Armatosura Turke (TSK) në rajonin Afrin në veriperëndim të Sirisë, kundër PKK/KCK/PYD-YPG dhe DEASH-it.

Fotografia e një ndërtese që digjet e publikuar në Twiter me pretendimin se “Turqia ka bombarduar popullatën civile në Afrin” u zbulua se është një fotografi që i përket një zjarri të ndodhur më 26 prill 2016 në rajonin Salmija të Kuvajtit.

Ndërsa fotografia e një tanku që digjet e publikuar në Facebook me pretendimin se “një tank i TSK-së është goditur në rajonin Bulbul në veri të Afrinit” është shkrepur më 19 korrik 2014 në rajonin Han Junus, në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Gjithashtu edhe fotografia e një gruaje siriane të vdekur e publikuar në Twitter me pretendimin se është “një grua e plagosur në operacionin Afrin dhe e cila ka ndërruar jetë nga të ftohtit” është zbuluar se është një fotografi që i përket një sirianeje që ka ndërruar jetë bashkë me familjen e saj, duke ngrirë nga të ftohtit teksa përpiqeshin të kalonin në Liban nga kufiri i Sirisë më 18 janar 2018.

Edhe një fotografi e publikuar ditën e djeshme në median sociale ku pretendohet se i përket “një fëmije të plagosur gjatë operacionit” është njoftuar se është një fotografi e shkrepur në vitin 2016 dhe se nuk ka lidhje me TSK-në.

Operacioni “Dega e Ullirit”

“Dega e Ullirit” nisi ditën e shtunë nga Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) në rajonin Afrin në veriperëndim të Sirisë. Në një deklaratë të publikuar në uebfaqen e Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë vihet në dukje se operacioni po realizohet duke respektuar të drejtat në kuadër të vendimeve të veçanta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në çështjen e luftës kundër terrorizmit dhe në kuadër të të drejtës legjitime të vetëmbrojtjes sipas marrëveshjeve të Kombeve të Bashkuara, si dhe në respektim të sovranitetit territorial të Sirisë.

Gjithashtu në deklaratë është theksuar se në objektiv do të jenë vetëm pikat që u përkasin terroristëve dhe se do të tregohet çdo kujdes dhe ndjeshmëri që civilët dhe personat e pafajshëm të mos dëmtohen. Ky operacion i TSK-së mbështetet edhe nga forcat e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS).

Pasi regjimi i Asadit në korrik të vitit 2012 ia dorëzoi Afrinin organizatës PYD/PKK pa u konfliktuar, ky rajon përgjatë luftës është bërë vendi fole i organizatës. Për shkak të pozicioneve të larta gjeografike, një pjesë e konsiderueshme e qyteteve Kilis dhe Hatay të Turqisë mbesin brenda rrezes së zjarrit të organizatës në Afrin. Organizata terroriste prej shumë vitesh përdor malet Amanos për tu infiltruar nga Siria në Turqi. Afrini është një pikë kyçe për PYD/PKK-në për të formuar një dalje në Mesdhe nga veriperëndimi i Sirisë.

Organizata terroriste gjithashtu nëpërmjet Afrinit kërcënon edhe rajonin e “Mburojës Eufratit” edhe “zonën jokonfliktuale” të Idlibit. Nën pushtimin e organizatës PYD/PKK-së ndodhet një e katërta e territorit të Sirisë, gjithashtu edhe 65 për qind e vijës së kufirit Turqi-Siri.