Ballina Autorë Opinione Propaganda astroturfing e LVV-së dhe propaganda asimetrike kundrejt saj

Propaganda astroturfing e LVV-së dhe propaganda asimetrike kundrejt saj

Festim Rizanaj

Astroturfing-u është një teknikë manipulimi e përdorur në media, veçanërisht në internet (rrjetet sociale dhe aplikacionet e mediave sociale), në të cilën një fenomen i krijuar artificialisht paraqitet sikur të ishte një ngjarje spontane me mbështetje të gjerë, me synimin për të ndikuar në opinionin publik. Qëllimi i saj është të krijohet përshtypja se një mesazh ose fushatë politike a sociale mbështetet nga një segment i publikut (si p.sh. votuesit ose një grup individësh), ndërkohë që fsheh sponsorët e vërtetë financiarë dhe ideologjikë pas tij.

Shkruan: Festim RIZANAJ, Prizren

Propaganda është informacion i sponsorizuar që përdor përmbajtje të ngarkuar me shkaqe dhe emocione për ta lëkundur opinionin dhe sjelljen publike në mbështetje të qëllimeve të propaganduesit. Propaganda përdor masmedian për të kultivuar një mendje propagandistike, domethënë marrëdhënie me masat, si shoqëria ose grupet e mëdha. Pa një formë të masmedias si mjet i saj, propaganda nuk mund të funksionojë ose të lulëzojë, pasi qëllimi i saj i synuar është të ndryshojë sistemet e besimit publik dhe ta pengojë ndërgjegjësimin kritik. Në komunikimin politik në Kosovë ekzistojnë dy forma të propagandës: ajo astroturfing, që aplikohet nga LVV-ja, ku një zhvillim i zakonshëm nëpërmjet shpërndarjeve dhe viralitet në mediat sociale paraqitet si një zhvillim me mbështetje të gjerë, dhe ajo asimetrike, që aplikohet nga opozita ku në reagimet e tyre imitohen mënyrat dhe mjetet e LVV-së.

Propaganda astroturfing e LVV-së

Komunikimi politik në epokën digjitale, në të cilën po jetojmë, kryesisht po zhvillohet në mediat sociale, si forma më praktike dhe e përshtatshme për të arrirë tek opinioni publik. Mediat sociale e kanë ndryshuar edhe formën e komunikimit në të, duke dominuar komunikimi afektiv, duke lejuar që opinioni të ndikohet nga sekuenca të shpejta informative. Kjo formë e komunikimit nuk lejon që të verifikohet përmbajtja e asaj që komunikohet, por thjesht ndikon ajo të fitojë viralitet dhe të arrijë te sa më shumë njerëz.

Siç thonë studime e bëra, Lëvizja Vetëvendosja është partia e parë në Kosovë që komunikimin e saj politik e ka fokusuar në mediat sociale, duke pasur si target gjeneratat më të reja dhe duke krijuar rrjetin më të madh në këtë platformë. Adoptimi i Facebook-ut për komunikimin politik nga LVV-ja i ka dhënë avantazh të madh gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017-të, kjo për shkak të interaktivitetit që ka pasur në krahasim me partitë e tjera.

Ky interaktivitet, që mund të quajmë edhe viralitet, ka bërë që propaganda politike e LVV-së të shtrihet në një pjesë të madhe të opinionit. Kjo praktikë vazhdon edhe në ditën e sotme, ku fokusi kryesor bie mbi dominimin e komunikimit në mediat sociale nëpërmjet viralitetit të përmbajtjeve të publikuara në mbështetje të kësaj lëvizjeje. Prandaj, mund të themi që LVV-ja është duke përdorur propagandë astroturfing në mediat sociale dhe më gjerë.

Astroturfing-u është një teknikë manipulimi e përdorur në media, veçanërisht në internet (rrjetet sociale dhe aplikacionet e mediave sociale), në të cilën një fenomen i krijuar artificialisht paraqitet sikur të ishte një ngjarje spontane me mbështetje të gjerë, me synimin për të ndikuar në opinionin publik. Qëllimi i saj është të krijohet përshtypja se një mesazh ose fushatë politike a sociale mbështetet nga një segment i publikut (si p.sh. votuesit ose një grup individësh), ndërkohë që fsheh sponsorët e vërtetë financiarë dhe ideologjikë pas tij. Astroturfing-u nënkupton praktika të publikimit të opinioneve, komenteve dhe shpërndarjeve në internet, në media, etj., që duket se vijnë nga anëtarë të thjeshtë të publikut, por në fakt vijnë nga një kompani apo grup i caktuar politik, si një mënyrë për të bërë të duket se një produkt, politikë, është shumë popullor ose ka shumë mbështetje publike.

Kjo reflektohet në shikuesit live të videove të shpërndara nga kjo lëvizje, pjesëmarrja virtuale në sondazhet gjatë debateve televizive, lidhur me temat rreth pushtetit aktual, shpërndarjet dhe komentet në përmbajtje të caktuara politike. Nëpërmjet propagandës astroturfing, LVV-ja e krijon përshtypjen virtuale tek opinioni se gjithçka është në rregull, duke postuar statistika e diagrame, besa edhe artikuj të sponsorizuar në mediat ndërkombëtare për të arriturat e pushtetit.

Zhvillimi teknologjik dhe mjetet e komunikimit e kanë përshpejtuar komunikimin, por e kanë cunguar përmbajtjen, kështu që sot komunikimi publik nga diskursi, si formë e shtjellimit të temave dhe fenomeneve në formë më të zgjeruar, ka kaluar në informacion të shkurtër pa kontekst, që nuk lë hapësirë të kuptosh dhe reflektosh mbi zhvillimet politike. Kjo ka ndikuar që të prodhohen slogane të caktuara në komunikimin politik që nxisin emocione dhe jo racionalitet, gjë që në fakt janë përdorur shumë nga lideri i Lëvizjes, Albin Kurti. Sidomos gjatë fushatës parazgjedhore, Kurti zhvilloi një formë të komunikimit me slogane të shkurtra, besa edhe të rimuara shpeshherë, por pa përmbajtje e me emocione. Kjo i përshtatet komunikimit në mediat sociale, për shkak të mikrotargetimit të audiencës, ku qytetarët nuk informohen, por atyre u përmbushen bindjet e tyre politike dhe ideologjike. Pastaj, ajo kthehet në propagandë astroturfing, duke u postuar dhe shpërndarë si thënie, ngjarje, arritje e pranuar me mbështetje të gjerë, me synimin për të ndikuar në opinionin publik. Kështu ndodhi edhe me rastin e protestës së sektorit të medias në përkrahje të Klan Kosovës, ku në mesin e tyre u shfaqën dy simpatizantë të Lëvizjes dhe postimet e tyre në mediat sociale patën viralitet më të madh se protesta e mediave. Rrjedha e formës së komunikimit të Lëvizjes në mediat sociale ka bërë që shumë kritika të mundohen t’i neutralizojnë nëpërmjet propagandës astroturfing, ndërsa njëra nga format është publikimi i videove propagandistike për pushtetet e mëparshme.

Nëpërmjet kësaj forme të propagandës, Lëvizja e ka krijuar një profilizim psikografik të audiencës, duke e përdor komunikimin psikopolitik kundrejt tyre. Pra, e përdor informacionin e dekontektualizuar, i cili është më efektiv se një argument i arsyetuar. Kjo ia mundëson që të mos ketë nevojë edhe për mediat për të komunikuar me publikun, siç po i neglizhon tani për tani kryeministri.

Propaganda asimetrike kundrejt LVV-së

Nga ana tjetër, opozita politike në Kosovë, duke u përkrahur nga mediat, është duke përdorur një propagandë asimetrike ndaj Lëvizje në sferën publike. Edhe opozita i ka përvetësuar format e propagandës së njëjtë, duke u fokusuar në kritika më slogane emocionale dhe pa përmbajtje.

Propaganda asimetrike është një taktikë e përdorur nga individë ose grupe, përfshirë institucionet, për të shpërndarë mesazhe që e avancojnë propagandën ose interesat e tyre. Kjo arrihet duke adoptuar pamjen ose strategjinë e fushatës së kundërshtarëve të tyre, shpesh përmes imitimit ose mimikës. Kjo strategji përdoret shpesh gjatë periudhave zgjedhore për të gërryer sinergjinë dhe dinamikën motivuese të grupit të synuar, për të destabilizuar unitetin e tij dhe për ta drejtuar fokusin e tij në drejtimin e dëshiruar përmes formave të ndryshme të propagandës negative.

Në komunikimin e tyre politik, opozita e bart fokusin në temat dhe fenomenet që Lëvizja i kishte kritikuar ata derisa ishin në pushtet, pra për nepotizëm, korrupsion etj. Përderisa deri vonë kryesisht është fokusuar në biopolitikë, duke komunikuar fizikisht me grupe të caktuara, sot opozita po mundohet ta shtrijë komunikimin e saj në mediat sociale, për t’u fokusuar më shumë në psikopolitikë.

Opozita po mundohet që edhe në parlament ta zhvillojnë komunikimin e njëjtë si e ka zhvilluar Lëvizja sa ishte në opozitë. Pra, kundërshtitë në parlament t’i shoqërojë me mjete të tjera si formë e reagimit. Po ashtu, edhe reagimi nëpërmjet protestave nga të rinjtë e partive opozitare, përkundër që janë imitim, po reflektojnë zbehtësi në krahasim me numrin dhe sloganet e përgatitura në pankarta e shpalosura.

Një nga armët kryesore të opozitës janë informacionet (në mesin e të cilave ka edhe keqinformata) e publikuara nga mediat (siç ishin edhe për Lëvizjen sa ishte në opozitë), të cilat përdoren për të goditur pushtetin. Nëpërmjet këtyre informacioneve krijohen slogane të tilla denigruese kundrejt Kurtit dhe pushtetit (ashtu siç bënte LVV-ja sa ishte në opozitë). Kjo i bie që edhe në këndin e opozitës nuk kemi komunikim me përmbajtje politike, por informacione emocionale.

* * *

Të dyja format e propagandës paraqesin korruptimin e mendësisë politike të shoqërisë sonë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet e tyre politike. Prandaj, u mbetet mediave që të kujdesen në mirinformimin e shoqërisë për të ndikuar në krijimin e një mendësie politike të bazuar në fakte. Nëpërmjet informacioneve të dekontesktualizuara, të publikuara nga mediat dhe portalet informative, nuk mund të krijohet opinion i mirëfilltë për gjendjen politike në vend. Pra, kjo formë e informacionit nuk krijon vetëdije politike. Prandaj, mediat duhet ta luajnë rolin e kritikut të pushtetit me përmbajtjeve të kontekstualizuar dhe jo të jetë kundër (media është kritike e pushtetit, e jo kundër) me informacione të shkurtra pa kontekst. Në këtë mënyrë, mediat e shpëtojnë mendësinë e shoqërisë sonë të korruptuar nga partitë politike.

Exit mobile version