Themeluesi i kompanisë ByteDance dhe pronari i aplikacionit të shpërndarjes së videove TikTok, Zhang Yiming, është bërë personi më i pasur në Kinë, transmeton Anadolu.
Indeksi i miliarderëve i Bloombergut tregoi sot se Zhang është bërë personi i 24-t më i pasur në botë.
Lista e miliarderëve e Forbesit, si dhe Hurun Rich List, një renditje e individëve më të pasur në Kinë, treguan gjithashtu se ai është personi më i pasur kinez.
Sipas Bloombergut, ai ka një pasuri prej 57,5 miliardë dollarësh, ndërsa vlera e pasurisë së tij sipas Forbesit është 65,5 miliardë dollarë.
Zhang, 42-vjeç, themeloi ByteDancen në vitin 2012 dhe vlera e kompanisë është mbi 400 miliardë dollarë sipas të dhënave të janarit 2025.
ByteDance është gjithashtu pronar i aplikacioneve të njohura celulare si CapCut, Xigua Video dhe Douyin.