Dilemat, sfidat, pengesat, problemet, brengat, vështirësitë fizike dhe shpirtërore, emocionet e ndjenjat e ndryshme, përjetimet personale dhe jo vetëm, u shpalosën në formën e prozës poetike dhe rrëfimeve nga gjithsej 11 persona të verbër në librin e titulluar ‘Rreshtat e bardhë’, që sot u promovua në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.
Libri ‘Rreshtat e bardhë’ vjen për herë të parë në Kosovë si rendiment i projektit ‘Vargu i bardhë’, i cili është duke u realizuar nga ‘Iniciativa e Pavarur e të Verbërve të Kosovës’ dhe njëkohësisht konsiderohet një vazhdimësi e projekteve të ndryshme në fusha të ndryshme të jetës së këtij komuniteti dhe shoqërisë në përgjithësi.
Në ambientin e ngrohtë të KultPlus Caffe Gallery, të pranishmit patën rastin të dëgjojnë nga afër disa nga rrëfimet e këtyre autorëve e po ashtu të takohen e të bisedojnë me ta rreth rrëfimeve dhe krijimeve të tyre.
Kurse, për të folur rreth librit, i pranishëm ishte edhe recensenti i librit Pajazit Krasniqi, i cili fjalimin e tij e ka titulluar me emrin ‘Në çdo varg nga një rrëfim’.
“Të shkruash një autobiografi, jo rrallëherë je në dilemë se çfarë të vendosësh në fillim e çka në fund të librit sepse jeta nuk të lejon të zgjedhësh më të mirën për vetën tënde pavarësisht sfidave. Andaj, pikërisht ky libër portretizon motivin e autorëve për të tejkaluar çdo sfidë pavarësisht vështirësive që ata i hasin çdo ditë”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, është hera e parë që ai ka lexuar rrëfime të tilla të shprehura në një origjinalitet të rrallë ku përmes tregimeve autorët tregojnë se me zemrat e tyre të bardha shohin përtej asaj që ndonjëherë shihet me sy, prandaj edhe ai e titulloi kështu recensionin e librit.
“Një libër i mbushur me histori interesante ku autorët janë personazhe në shtjellimin e ngjarjeve të paraqitura ku gërshetohet dashuria për jetën dhe elementet që ndërlidhen me përditshmërinë e këtyre autorëve. Shprehja e tyre e ngrit më shumë emocionin e leximit duke na futur në përjetimin e situatave të tyre që japin porosinë se çdo gjë është e mundur”, përfundon Krasniqi.
Tutje, pas vlerësimit të librit nga Krasniqi, fjalën e morri edhe redaktorja e librit, Vera Pelaj e cila foli rreth përmbajtjes së librit dhe specifikat e rrëfimeve të autorëve.
“Në këtë libër me prozë poetike autorët kanë shprehur ëndrrat, shpresat dhe kërkesat e tyre siç i kemi edhe ne. Përveç që shprehin dashuri, vullnet dhe forcë, ata në rrëfimet e tyre përdorin edhe figura stilistike të cilat i shtojnë vlera rrëfimeve. Po ashtu, përdorin figurën krahasuese, metaforën, alegorinë e shumë figura të tjera. Secili rrëfim ka specifikat e veta por të gjitha të dërgojnë në një pikë, në motivim”, thotë Pelaj.
Sipas saj, ti lexosh rrëfimet e përmbledhjes ‘Rreshtat e bardhë’, vërehet se tek lexuesi përcillet bardhësia, dashuria dhe mesazhi për të mos u dorëzuar. Ndërkohë, të gjitha rrëfimet janë personale përmes të cilave rrëfehen peripecitë për të arritur atë se çfarë kërkohet, pavarësisht sakrificave.
Kështu krejt në fund, të pranishmit patën rastin ti dëgjojnë rrëfimet si: ‘’Ëndrra e përjetshme’’ nga Adelina Hajdinaj, ‘’Pritja e autobusit’’ nga Betim Bregovina, ‘’Pallati i zemrës’’ nga Fjolla Muhaxhiri-Agusholli, ‘’Punësimi dhe sprovat’’ nga Halil Kurmehaj, ‘’Sfida, kur djali i mbushi dy vjet’’ nga Hasime Ajdini-Pajaziti, ‘’Përdorimi i telefonave të mencur’’ nga Hashim Llumnica, ‘’Qoftë vetëm edhe një ditë’’ nga Mevlude Emini, ‘’Të punosh në dritën e shpirtit’’ nga Naim Lezi, ‘’Fjalët e syve të shprehura me zemër’’ nga Rinesa Azizi, ‘’Ndërrimi i figurave’’ nga Shkurta Bregovina si dhe ‘’Jeta është shkollë’’ nga Yllka Berisha.
Ky libër është sponsorizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport. /KultPlus